Flash News

Ditari i Opozitës

Mediu: Krimi në zgjedhje, vota blihet, kështu nuk shkojmë në BE

Mediu: Krimi në zgjedhje, vota blihet, kështu nuk shkojmë në

Kryetari i Partisë Republika, Fatmir Mediu ishte i ftuar këtë të martë në Debat nga Alba Alishani në A2 CNN, nga ku foli për takimet e opozitës për zgjedhjet e 11 majit.

Ai u shpreh se qëllimi ishte që të tregoheshin shqetësimet për situatën në Shqipëri. “Prej kohësh, opozita shqiptare ka zhvilluar kontaktet e veta, ndoshta pak të vonuara me PE-në CDI e Kongresin Amerikan e tashmë edhe me Asamblenë e Këshillit të Europës. Qëllimi ka qenë të njohin situatën në Shqipëri, një situatë që ishte pikturuar shumë rozë pa ndonjë vëmendje të veçantë për problemet që ka Shqipëria, në mënyrë të veçantë krimin e korrupsionin.

Ajo që është më e rëndësishmja, garantimi i zgjedhjeve të lira e të ndershme. Raporti i OSBE-ODIHR ka treguar qartësisht se votat në Shqipëri blihen, votuesit intimidohen, krimi e korrupsioni janë të përfshirë në blerjen e votës. Po ashtu, edhe mënyra sesi është përdorur drejtësia kundër opozitës, duke e vendosur atë përballë një procesi që nuk kanë një bazë të fortë ligjore.

I gjithë qëllimi ishte që ne të bëjmë prezent shqetësimet që kemi për situatën në Shqipëri. Në këtë rrugë Shqipëria nuk do të bëhet kurrë një vend anëtar i BE-së”, tha Mediu në Debat.

Të fundit