Flash News

Ditari i Opozitës

Mediu tregon rrugën e bashkimit të PD-së: Të krijohet grupi i të urtëve negociatorë

Mediu tregon rrugën e bashkimit të PD-së: Të krijohet grupi

Kreu i Partisë Republikane dhe deputeti i djathtë, Fatmir Mediu, ka një zgjidhje për ndasinë e krijuar mes dy grupeve në Partinë Demokratike.

Si aleat i forcës së djathtë, teksa tregoi disavantazhet e PD-së në zgjedhjet e 14 majit, Mediu tha për Panorama se është e nevojshme krijimi i një grupi të urtësh negociatorë për të negociuar mes dy palët e PD-së. Deputeti opozitar tregoi edhe anëtarët që mund të jenë pjesë e këtij grupi.

“Disavantazhi i parë është situata brenda Partisë Demokratike. Dalja me dy kandidatë është disavantazh i madh në aritmetikën elektorale, por dhe në efektin psikologjik që ajo shkakton. Bashkimi me një kandidat dhe me një logo është domosdoshmëri dhe palët duhet ta tejkalojnë këtë situatë. Krijimi i një grupi negociator të urtësh në Partinë Demokratike për të negociuar, do ishte hapi më i drejtë për të zgjidhur këtë situatë absurde në Partinë Demokratike. Krijimi i një grupi të urtësh negociatorë si z. Besnik Mustafaj, z. Halim Kosova, z. Rexhep Uka, z. Ridvan Bode etj., mund të ishte një vendim që do të ndihmonte zgjidhjen.

Disavantazhi i dytë ligjor është që me ndryshimet Kushtetuese që bëri Edi Rama në mënyrë të njëanshme dhe të kodit ka shkatërruar rregullat e koalicioneve parazgjedhore. Fatkeqësisht, opozita për shkak të situatës konfliktuale nuk mundi të trajtojë dy çështje dhe reforma thelbësore, atë territoriale dhe zgjedhore. Disavantazhi më i madh është mungesa e zgjedhjeve të lira dhe përdorimi i shtetit si makineri politike dhe elektorale”, tha Mediu.

Mediu u shpreh se ka tentuar t’i japë demokratëve një zgjidhje për bashkim dhe se do të vijojë ta bëjë.

“Kam tentuar dhe do të tentoj vazhdimisht që të ketë një Parti Demokratike dhe një opozitë të bashkuar që tejkalon secilin prej nesh”, shtoi Mediu.

Të fundit