Flash News

Ditari i Opozitës

Meta: Regjimi i krimit shkatërroi zgjedhjet, kërcënim për demokracinë

Meta: Regjimi i krimit shkatërroi zgjedhjet, kërcënim për

 

Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka reaguar në Facebook, ku ka denoncuar ashpër procesin zgjedhor, duke e cilësuar si një masakër të organizuar nga ajo që ai e quan “Narkoregjimi”.

Meta akuzon pushtetin aktual për përdorimin sistematik të bandave kriminale, shit-blerjes së votës, presioneve mbi qytetarët, si dhe për keqpërdorimin e administratës dhe pasurive publike, me qëllim tjetërsimin e vullnetit të lirë të votuesve.

 Sipas tij, kjo situatë përbën një deformim mafioz dhe të dhunshëm të demokracisë në vend.

Ai nënvizon se Partia e Lirisë nuk do të ndalet përballë asnjë shantazhi apo presioni, por do të evidentojë dhe denoncojë çdo shkelje të procesit zgjedhor, me qëllim rikthimin e demokracisë së vërtetë, barazisë para ligjit dhe shtetit të së drejtës.

“Banditizmi elektoral, “treni bullgar”, shit-blerja e votave, presionet për bukën e gojës, përdorimi i bandave dhe kriminelëve elektorale, parave të pista të trafiqeve dhe drogës, keqpërdorimi i administratës publike dhe aseteve shtetërore dhe të gjitha provat e masakrës elektorale, që po dalin në dritë të diellit, të organizuar nga Narkoregjimi tregojnë qartë një tjetërsim mafioz, total dhe të dhunshëm të vullnetit të lirë të qytetarëve.

Ky regjim i bazuar mbi krimin, që bazon çdo gjë në tjetërsimin, manipulimin dhe në inflitrimin e njerëzve të korruptuar brenda opozitës, përmes mekanizmave shtrëngues të “Drejtësisë së Re”, shkatërroi standardet e zgjedhjeve, demokracinë dhe shtetin e së drejtës.

Beteja për votën e lirë është e pakthyeshme për të mbrojtur Shqipërinë nga gremina dhe shqiptarët nga kthetrat e Narkoshtetit kriminal.

Ne nuk do të ndalemi përballë asnjë shantazhi, presioni apo manipulimi. Do të evidentojmë dhe denoncojmë çdo shkelje, çdo abuzim, çdo tentativë për të kthyer zgjedhjet në një farsë, formalitet dhe në falsitet total.

Mbrojtja e votës së lirë është një mision kombëtar për të rikthyer Shqipërinë në rrugën e demokracisë së vërtetë, të shtetit të së drejtës dhe barazisë para ligjit për të gjithë.

Sot beteja është mes narkokriminelëve që kanë zaptuar pushtetin dhe të drejtës së qytetarëve për të zgjedhur me vullnetin e tyre njerëzit, që respektojnë Kushtetutën dhe ligjin.

Themeli i fitores është vota e lirë ndaj të bëjmë çdo sakrificë për t’ja shkulur pushtetin Narkoqeverisë dhe për t’ja kthyer pushtetin qytetarëv”, shkruan Meta teksa publikon videon me poshte:

Të fundit