Flash News

Ditari i Opozitës

Meta: Rrëzimi i nismës për uljen e çmimeve të karburanteve i qëllimshëm, qeveria përfiton nga krizat

Meta: Rrëzimi i nismës për uljen e çmimeve të

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka reaguar në rrjetet sociale pas rrëzimit në Komisionin e Ligjeve të projektligjit për uljen e çmimeve të karburanteve, duke akuzuar qeverinë se shfrytëzon krizat për përfitime korruptive.

Sipas tij, rritja e çmimeve dhe politikat fiskale kanë goditur rëndë qytetarët dhe sektorin bujqësor, ndërsa theksoi se mbështetja e prodhimit vendas mbetet prioritet për daljen nga kriza ekonomike.

Reagimi i plotë në Facebook:

Rrëzimi në Komisionin Parlamentar të Ligjeve i projektligjit të Partisë së Lirisë për uljen e çmimeve të larta të karburanteve ishte i pritshëm, pasi ky Kryeministër jo vetëm lumturohet por edhe majmet më shumë nga krizat.

Ai jo vetëm nuk mjaftohet duke ua transferuar barrën e krizave tërësisht qytetarëve më të pambrojtur, por i shfrytëzon ato pa asnjë kufi, thjesht dhe vetëm për përfitime korruptive, siç u pa pas tërmetit tragjik, gjatë pandemisë COVID-19 dhe siç po ndodh edhe sot me krizën aktuale.

Madje, edhe kur vendi nuk përballet me kriza reale, është po ai që i fabrikon qëllimisht ato sepse nuk ngopet së vjedhuri shqiptarët.

A nuk ishte ky që shpiku të ashtuquajturën krizë energjetike, për të justifikuar sjelljen e dy “tigrave” rrangallë nga Bangladeshi, të cilët nuk prodhojnë asnjë kilovat energji?

A nuk ishte ky që shpiku krizën e mbetjeve vetëm me qëllim grabitjen e qindra milion eurove me inceneratorë, si ai që nuk ekziston i Tiranës, apo si ata që nuk punojnë?

Ndaj dhe nuk habitemi sepse që nga viti 2017 kur mori i vetëm, jo vetëm timonin e tepsinë, por edhe Ministrinë e Bujqësisë, ai e godit egërsisht këtë sektor jetik për ekonominë e vendit.

Rezultatet e kësaj politike antikombëtare dihen, sepse mjafton të krahasojmë përgjysmimin e numrit të gjethëve, nga 492 mijë krerë në vitin 2017, në 226 mijë krerë aktualisht, si edhe të numrit të të imtave (dele dhe dhi) nga 3,1 milion krerë në vitin 2017, në 1,9 milion krerë aktualisht.

Përgjysmimi i blegtorisë ka prodhuar edhe 2-3 fishimin e çmimeve të produkteve vendase blegtorale, që sot tregtohen më shtrenjtë edhe se në vendet më të zhvilluara të Bashkimit Europian.

Kjo politikë ka ecur paralelisht me vetë shpopullimin e zonave rurale dhe krahinave të tëra të Shqipërisë, sepse ky ka qenë edhe qëllimi kryesor i agjendës antikombëtare të shpopullimit, të godasë fort veçanërisht fermerët dhe bujqësinë, këtë sektor jetik për ekonominë e vendit.

Taksat e shtuara te karburantet, nga 40% në qeverisjen Berisha në 60% në qeverisjen Rama, kanë ndodhur për shkak të një administrate aktuale tërësisht të korruptuar fiskale, e cila rritjen e informalitetit e kompenson me shtimin e taksave që duhet të paguajnë qytetarët, politikë që sjell vetëm falimentimin e prodhimit vendas dhe fermerëve.

Partia e Lirisë e ka një ndër 5 Prioritetet kryesore mbështetjen e bujqësisë për popullimin e Shqipërisë, për rritjen e prodhimit bujqësor dhe blegtoral, për luftën kundër varfërisë.

Vetëm duke nxitur prodhimin vendas, duke ulur taksat dhe eliminuar pragjet thellësisht diskriminuese, duke rritur subvencionet për çdo krerë bagëti dhe sipërfaqe të mbjellë, duke shtuar financimin dhe mundësuar riçeljen e fondeve IPARD të bllokuara prej 3 vitesh për shkak të korrupsionit, Shqipëria jo vetëm do të dalë nga kriza e rëndë ekonomike, por edhe do të shndërrohet në një fuqi eksportuese në rajon.

Të fundit