Flash News

Ditari i Opozitës

Modeli i njeriut të lirë në çmim përballë modelit të njeriut të lirë në shpirt

Modeli i njeriut të lirë në çmim përballë

Nga Andi Mustafaj/

Politika është emblemë përballjeje sepse ajo nuk përball vetëm individë, ajo përball modele, forca, emocione, strategji, projekte dhe vizione.

Politika përplas realitetin e së tashmes me alternativën e së ardhmes. Politikani përgatitet për të gjitha këto përballje duke e projektuar në imagjinatën e tij veten shpesh në beteja që nuk janë bërë akoma.

Gjatë rrugëtimit tim politik, e kam menduar qindra, ndoshta mijëra herë ditën kur do kisha një përgjegjësi të drejtpërdrejtë në përballje me regjimin. Kam shpresuar dhe pritur se një ditë do t’u rri përballë njerëzve që po shkatërrojnë vendin tonë, shtëpinë tonë, familjen tonë.

Kur u emërova i Drejtues Politik në Degën 1 në Tiranë mendova se ishte rasti të zbatoja drejtpërdrejt parimet dhe teoritë që kisha zhvilluar ndër vite vetëm apo si pjesë e Departamentit Brain Gain. Por, beteja që kemi përpara është më shumë se kaq. Është beteja e dy botëve të papajtueshme me njëra tjetrën.

Në Degën 1, unë dhe qytetarët e Tiranës kemi përballë Ministrin e Brendshëm të regjimit, i cili ndihmohet nga aleati i tij i PSD, ku ky i fundit pa veprimtari politike ka siguruar në atë zonë rezultatin më të lartë në qarkun e Tiranës. Një parti fantazmë e mbipërfaqësuar dhe dora drejtuese e forcës shtypëse të regjimit.

Duke zgjedhur përfaqësuesit e vet, regjimi kërkon të përdorë si kartë të vetme emocionin e frikës, frikës ndaj dhunës që dobëson shpirtin dhe e nxjerr zbuluar deri sa të shes votën të shes veten, të shuaj të ardhmen.

Ata gabuan, sepse për tu shitur nuk jemi, frikë ne nuk kemi, viktima ne nuk jemi, të kompleksuar ne nuk jemi. Regjimi që zbret fizikisht dhe simbolikisht në degën ku jam i deleguar! Sa forcë më jep, sa forcë na jep!

Na jep forcë sepse ajo që ata nuk dinë është se nëse ka një përplasje që i mbijeton edhe këtyre kushteve të të bërit politikë nën trysni të regjimit, është ajo e modeleve dhe emocioneve.

Këtu fillon forca jonë. Ata përgatisin terrenin e frikës, ne krijojmë bashkë terrenin e shpresës. Shpresa e thyen frikën. Ata vijnë me modelin e të fortit në terror, arrogancë, shtypje. Ne jemi aty me modelin e shqiptarit të punës, të familjes, të sakrificës. Modeli ynë sërish i thyen.

Është pa dyshim nderi i një jete të prij demokratët në këtë përballje, të cilën kushtet e bëjnë një betejë për historinë. Është përgjegjësi e madhe e imja dhe e Demokratëve të Degës 1 ta zhvillojmë si të tillë, të denjë për historinë.  Ne duhet të ecim në këtë betejë me kokën lart, të fortë dhe krenarë për atë çfarë jemi, për forcën që mishërojmë përballë një kundërshtari, që nuk njeh parime, rregulla, moral beteje.

Krenaria dhe guximi ynë buron nga besimi se Ne jemi forca e duhur në kohën e duhur. Mesazhi ynë është mesazhi i një Shqipërie që forcën nuk e gjen tek frika, por tek shpresa dhe optimizmi. Modeli i regjimit është ai i njeriut të lirë në çmim. Ne do të tregojmë që modeli ynë, i vetmi për Shqipërinë, është ai i njeriut të lirë në shpirt.

Respekt dhe mirënjohje për këdo që do të na bashkohet në këtë betejë absolute kundër këtij kundërshtari absolut.

Është radha jonë.

Të fundit