Flash News

Ditari i Opozitës

Mos u tall me malësorët, Elisa!

Mos u tall me malësorët, Elisa!

Nga Lisandër Hoxha
Në mes të Parlamentit, shoqja Elisa nuk e përmbajti dot vrerin e zakonshëm rilindas: "Mos bëj sikur ke zbritur nga mali". Një shprehje arrogante, përçmuese, që e ul debatin politik në baltën e urrejtjes primitive.
Nëse të jesh malësor qenka ofendim, atëherë po fyejmë 70% të territorit të Shqipërisë, sepse ky vend është kryesisht malor. Po fyejmë historinë, kulturën, identitetin tonë.
Por ky nuk është rasti i parë që "spordhickat" e kësaj qeverie shfryjnë urrejtje ndaj malësorëve. Mos harroni se edhe Hajdute Xhaçka u sul drejt e mbi tokën publike, vetëm e vetëm që të mos vinin "ata nga mali" të ngrinin çadrat aty.
Kjo urrejtje ndaj malësorëve është tipar i kësaj qeverie. E kanë të rrënjosur thellë në mendjen e tyre të vogël e shpirtin e tyre të zi. E shohim kudo: në mungesën e investimeve, në shpopullimin e zonave malore, në rrallimin e mjekëve, mësuesve, shërbimeve, infrastrukturës.
Por pse? Pse ky mllef ndaj njerëzve që kanë zgjedhur të jetojnë mes maleve për të ruajtur lirinë dhe dinjitetin e tyre? A mos është pikërisht ai shpirt i lirë që i bezdis? A mos i djeg akoma fakti që nga malet dolën ata që përmbysën baballarët e tyre komunistë? Apo u ka mbetur peng që në ato male u thyen ekspeditat sllave e nuk u bë dot Ballkani i Hapur që para 100 vitesh?
Çfarë i shtyn të mbjellin përçmim kombëtar në vend që të ngrenë ura bashkimi?
Elisa, politika ka debate e polemika. Por përçmimi publik ndaj një kategorie të tërë shqiptarësh është e pafalshme. Aq më tepër kur vjen nga Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.
Turp, Elisa!
Dil dhe kërko falje publike! Malësorët janë njerëz krenarë, me një trashëgimi të pasur kulturore e historike që e nderon Shqipërinë. Ky vend është po aq i tyre, sa i kujtdo tjetër. Nëse nuk e pranon këtë, nuk ke vend as në krye të Parlamentit.

Të fundit