Flash News

Ditari i Opozitës

'Mosbindja civile nis sot', Boçi: Protestat do të përshkallëzohen, opozita kërkon largimin e Ramës

'Mosbindja civile nis sot', Boçi: Protestat do të

Deputeti i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, në një intervistë për “SYRI TV”, diskutoi situatën e tensionuar politike në Shqipëri dhe protestën që do të mbahet sot nga opozita.

 Boçi renditi problemet kryesore që shqetësojnë qytetarët, si kufizimi i lirisë politike, mungesa e sigurisë në arsim dhe shëndetësi, dhe përkeqësimi i standardeve të jetesës.

Ai kritikoi ashpër qeverisjen e kryeministrit Edi Rama, duke e cilësuar si një sundim autoritar që ka tejkaluar ligjin dhe Kushtetutën. Boçi paralajmëroi për një përshkallëzim të protestave dhe mosbindjes civile, ndërsa qëllimet e opozitës mbeten largimi i Ramës dhe krijimi i një qeverie teknike që do të garantojë zgjedhje të lira e të ndershme.

'Arsyet e bashkimit në protestë janë të shumta, duke filluar me kufizimin e lirisë politike dhe lirisë së fjalës, të cilat mund të duken paksa abstrakte, por janë të vërteta. Më tej, është mungesa e sigurive që një qeveri duhet t’i ofrojë qytetarëve dhe që e ka për detyrë: siguria arsimore. Në Shqipëri nuk ka më arsim dhe edukim në ato parametra që kërkon një shoqëri e emancipuar dhe një vend që aspiron të jetë pjesë e BE-së.

Nuk ka siguri shëndetësore; shëndetësia është në koma totale dhe qytetarët kanë frikë të sëmuren në këtë ditë. Nuk ka siguri jete, nuk ka siguri ushqimore; shqiptarët nuk dinë as çfarë blejnë, as çfarë konsumojnë dhe as çfarë hanë. Siguria e jetës ka rënë gjithnjë e më shumë.

Në fakt, nuk kemi të bëjmë më me një pushtet të thjeshtë, por me një sundim. Një sundim që nuk është më i një partie, por i një grupi të caktuar brenda një partie që bën gjithçka të zezë dhe të keqe për të vazhduar pushtetin dhe sundimin e saj, në ato forma dhe mënyra që kanë kapërcyer çdo lloj ligji, çdo lloj kushtetute dhe çdo proces zgjedhor.

Unë mendoj që reagimi i qytetarëve do të jetë i fortë. Një nga arsyet, përveç atyre që përmenda më sipër, është provokimi që u bën Rama me këtë mënyrë sjelljeje, duke i konsideruar qytetarët që protestojnë për të drejtat e tyre si armiq të pushtetit të tij. Ai tenton t’i provokojë në forma të tilla duke shtuar forcat policore, duke i armatosur deri në dhëmbë dhe duke bllokuar akset rrugore për të penguar ardhjen e qytetarëve në sheshin Skënderbej. Kjo është një dëshmi e frikës së madhe që përjeton regjimi, dhe këto janë procese që ngjasojnë me njëra-tjetrën, sepse sjellin fundin e një regjimi.

Qëllimet tona janë të sinqerta dhe të vërteta. Nuk ka tendenca për pregatitje apo mospregatitje. Jemi shumë të drejtpërdrejtë në përplasjen tonë. Jemi drejt një mosbindjeje civile që nis sot. Kemi organizuar grumbullimin dhe më pas marshimin në rrugët e Tiranës, i cili do të ketë kohëzgjatjen dhe aktet e tij domethënëse, që do të shpërndajnë një mesazh të qartë dhe të pastër se ne nuk tërhiqemi nga kjo mosbindje. Do të vazhdojë edhe në ditët dhe muajt në vijim derisa të arrijmë objektivat tona, që janë kërkesa të qytetarëve dhe qëllime politike: krijimi i një qeverie teknike, largimi i Ramës nga drejtimi i vendit, dhënia e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, lirimi i liderit të opozitës dhe Ervin Salianjit, të burgosur padrejtësisht me akuza të rreme. Vetëm në këtë mënyrë ne mund të jemi pjesë e një procesi zgjedhor të ndershëm, që do të përmbyllet me fitoren e Partisë Demokratike.'- u shpreh Boçi.

Të fundit