Flash News

Ditari i Opozitës

"Në janar të nisë vaksinimi...", ish-ministri i Shëndetësisë: Shqipëria me numrin më të lartë të mjekëve të humbur, në botë

"Në janar të nisë vaksinimi...", ish-ministri i
Në foto: Ish-ministri i Shëndetësisë, Tritan Shehu

Ish-ministri i Shëndetësisë, Tritan Shehu, ka reaguar pas vdekjes së kreut të Shoqatës së Anestezistëve, doktor Mihal Kerci.

Shehu shprehet se po përballemi me një situatë të trishtë, dhe se Shqipëria renditet në vendet me vdekshmërinë e mjekëve më të lartë në botë, në raport me numrin që kemi.

“Punonjësit shëndetësorë po punojnë, duke sakrifikuar gjithçka. Kjo duhet të na bëjë të përkulemi me respekt para punës së tyre”, ka thënë Shehu, duke apeluar zbatimin masave nga qytetarët, gjë e cila sipas tij, mbron jo vetëm ne por edhe mjekët.

Po ashtu, Shehu theksoi se brenda ditëve të para të janarit duhet të nisë vaksinimi i personelit mjekësor në Shqipëri sikurse edhe në vendet e tjera të BE-së.

“Kjo është një e dhënë shumë e trishtë, me të cilën po ballafaqohemi. Deri ditën që u shtrua në spital, që u rëndua, kam komunikuar me Mihalin, takohesha e bisedoja me të. Po përgatiteshim për ca hapa shumë të rëndësishëm të Shoqatës së Anestezistëve Shqiptarë, për vjeshtën që vjen, pikërisht për përballjen me virusin. Situata është serioze dhe Shqipëria ka numrin e mjekëve të humbur më të lartë në botë, në krahasim me numrin e mjekëve që kemi. Jemi në vendet ku numri i mjekëve të humbur ka arritur në nivele tragjike.

Punonjësit shëndetësorë po punojnë, duke sakrifikuar gjithçka. Kjo duhet të na bëjë të përkulemi me respekt para punës së tyre. Duhet të mbledhim të gjitha forcat tona për t’i mbrojtur, që ata të jenë më të sigurt, pasi kjo bën që edhe qytetarët të jenë të sigurt. Duhet të ketë masa të plota mbrojtëse sistemi shëndetësor. Brenda ditëve të para të janarit duhet të nisë vaksinimi i personelit mjekësor, ashtu sic do të ndodhë në vendet e tjera të BE. Duke qenë të sigurt mjekët, janë më të sigurt edhe qytetarët. Kjo është një gjë e domosdoshme, që duhet bërë, ndryshe gjërat do të shkojnë më keq”, theksoi Shehu për News 24.

Të fundit