Flash News

Ditari i Opozitës

Nesër ‘i skadon’ afati i demokratëve/ A do të tërhiqet Lulzim Basha?

Nesër ‘i skadon’ afati i demokratëve/ A do të

Humbja e zgjedhjeve të pjesshme lokale të 6 marsit do t’i kushtonte shtrenjtë Lulzim Bashës. Të besuarit e tij vendosën që të përqendrohen më shumë në idealin e PD-së se sa te lideri që deri tani kishin mbështetur.

Kundër Bashës dolën mbështetësit e tij më të besuar si Grida Duma, Ervin Salianji, Helidon Bushati, të cilët e kishin mbrojtur me fanatizëm në përballjen dhe konfliktin me ish-kryeministrin Sali Berisha. Grupi parlamentar i kërkoi Bashës të bëjë hapa pas dhe të dorëhiqet nga posti duke marrë përgjegjësinë që i takon për humbjen më 6 mars.

Bashën e braktisi edhe ‘krahu i tij djathtë’, sekretari i Përgjithshëm i PD Gazment Bardhi. Ky i fundit deklaroi se si Basha edhe Berisha duhet të tërhiqen nga partia për të lënë një rrugë bashkimi mes dy palëve.

Edhe dy nënkryetarët e PD, Enkelejd Alibeaj dhe Jorida Tabaku, kërkuan që Basha të tërhiqet nga posti.

Deputetët i lanë afat deri nesër Lulzim Bashës për të bërë një hap pas ashtu sikurse u shpreh edhe gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të shtunën. Ata kërkojnë përjashtimin e Bashës nga grupi parlamentar, të cilin e kanë propozuar përmes një peticioni të nisur nga një grup deputetësh.

“Grupi parlamentar i Partisë Demokratike si mbajtësi i tagrit përfaqësues me të gjerë elektoral dhe atij më të lartë institucional, tagër që dervion nga vota e drejtëpërdrejtë e 622.000 zgjedhësve shqiptarë, ka përgjegjësinë të marrë masa që veprime të tilla të kryetarit të Partisë Demokratike që njëherazi është edhe deputet anëtar i PD dhe grupit parlamentar të saj, të mos vazhdojnë të cenojnë interesat dhe objektivat politike dhe elektorale të Partisë Demokratike dhe të grupit parlamentar të saj në funksion të qëllimit dhe interesit publik për forcimin e demokracisë dhe mirëqeverisjes në vend, duke siguruar rotacionin politik në zgjedhjet e ardhshme vendore dhe parlamentare. Për sa më sipër në mbledhjen e tij, në përputhje me statutin dhe Rregulloren e Brendshme të Grupit parlamentar të PD-së dhe nenet 15 në vijim të Rregullores së Kuvendit, në prani të kuorumit të nevojshëm dhem e shumicë votash, Grupi parlamentar i PD-së. Vendosi: Marrjen e masës disiplinore “Përjashtim” nga grupi parlamentar i PD-së për deputetin z.Lulzim Basha; Në vijim të masës disiplinore sa më sipër deputeti z.Lulzim Basha humbet çdo tagër përfaqësimi për llogari të grupit parlamentar të PD-së dhe drejtimi të tij”, thuhet në dokument.

Në përfundim të takimit dhe diskutimeve, Basha tha se do të vendosë veten në dispozicion të zgjidhjes së krizës në PD, në çfarëdo lloj forme a mënyrë.

Grupi parlamentar doli të shtunën me tre propozime për Lulzim Bashën. E para, si ai edhe ish-kryeministri Berisha të tërhiqen nga partia dhe të krijojnë mundësi për një frymë bashkimi mes demokratëve. Së dyti, të ngrihet një strukturë me votë besimi nga të dyja palët. Dhe së treti, grupi propozoi organizimin e zgjedhjeve për t’u unifikuar si një parti e vetme.

Të fundit