Flash News

Ditari i Opozitës

Nga rritja e pagave për mjekët te mbulim total i barnave për pensionistët, PL ofron 16 propozime për shëndetësinë

Nga rritja e pagave për mjekët te mbulim total i barnave për

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, prezantoi një paketë me 16 masa për reformimin e sistemit shëndetësor, duke akuzuar njëkohësisht qeverinë për dështim në menaxhimin e këtij sektori jetik.

Gjatë një tryeze të dedikuar për shëndetësinë, Blushi vuri në shënjestër modelin aktual të “shëndetësisë falas”, të cilin e cilësoi si të dështuar në praktikë. Sipas tij, qytetarët përballen çdo ditë me mungesë barnash, kushte të papërshtatshme në spitale dhe një largim në rritje të mjekëve nga vendi. Ai ndaloi veçanërisht te situata në spitalin Onkologjik, që e konsideroi si një nga rastet më problematike, ku pacientët përballen me mungesë ilaçesh jetike dhe kapacitete të pamjaftueshme.

Sot nuk kemi një sistem që garanton jetën dhe dinjitetin e qytetarëve. Përkundrazi, shëndetësia është kthyer në një treg, ku shpesh mbizotëron parimi ‘paguaj ose vdis’. Rasti i Onkologjikut është më i dhimbshmi, ku pacientët përballen jo vetëm me sëmundjen, por edhe me mungesën e shërbimit të duhur”, u shpreh ai.

Në përgjigje të kësaj situate, Blushi prezantoi një sërë propozimesh konkrete, që synojnë rritjen e financimit dhe përmirësimin e shërbimeve. Mes tyre përfshihen rritja e buxhetit për shëndetësinë në nivelin 6% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, dyfishimi i pagave për mjekët dhe infermierët, si dhe anulimi i koncesioneve në këtë sektor. Një tjetër pikë kyçe është përmirësimi i sistemit të referimit për pacientët dhe garantimi i furnizimit më të mirë me barna.

Një fokus i veçantë në paketë i kushtohet pensionistëve. Sipas Blushit, propozohet mbulim i plotë financiar për barnat e përshkruara me recetë, ofrimi i shërbimeve mjekësore dhe infermierore në banesë, si dhe eliminimi i kostove për trajtime të caktuara dhe pajisje mjekësore. Po ashtu, parashikohet prioritet në marrjen e shërbimit shëndetësor për këtë kategori, për të shmangur pritjet e gjata në spitale dhe qendra shëndetësore.

Blushi theksoi se këto masa synojnë jo vetëm rritjen e cilësisë së shërbimit, por edhe rikthimin e besimit të qytetarëve te sistemi shëndetësor publik, duke e orientuar atë drejt standardeve më të mira në rajon.

Të fundit