Flash News

Ditari i Opozitës

"Një person ka votuar 12 herë, një tjetër në dy qarqe", PD: Vetëm katër prova faktojnë rreth 200 shkelje

"Një person ka votuar 12 herë, një tjetër në dy
Selia e PD

Opozita duket se nuk do të tërhiqet nga pretendimet e saj për manipulime zgjedhore, pavarësisht se Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve rrëzoi kërkesën e PD dhe LSI për shpalljen të pavlefshme të zgjedhjeve në qarkun Gjirokastër dhe Berat.

Përfaqësuesi ligjor i PD, Marash Logu ka shpërndarë dy foto (regjistri elektronik), që i cilëson prova të votimit të dyfishtë në qarkun Vlorë. Ai thotë se nga të dhënat e pajisjeve të identifikimit elektronik (PEI) rezultoi se shenjat e gishtërinjve të 23 persona kanë votuar rreth 3 herë secili.

Logu shton se e njëjta shenjë gishti është përdorur për identifikimin e dy votuesve në dy qarqe të ndryshme, njëri në bashkinë Vlorë dhe tjetri në bashkinë Ura Vajgurore, Berat.

I njëjti rast, sipas tij, ka ndodhur edhe me një person që rezulton që ka votuar një herë në bashkinë Konispol, dhe herën tjetër në bashkinë Sarandë. Një tjetër provë, sipas Logut, është se i njëjti person ka votuar 12 herë.

"Vetëm katër prova që KAS ka qenë i detyruar t'i marrë, me kërkesë të PD-së, faktojnë rreth 200 shkelje flagrante të ligjit. Ndërsa, shërbëtorët e Edi Ramës në KAS kanë refuzuar jo një herë, por 57 herë, të bëjnë transparencë të plotë mbi masakrën zgjedhore të 25 prillit", shkruan ai në rrjetet sociale.

Ky i fundit shton se këto janë "dëshmi e pakundërshtueshme" se vullneti i qytetarëve u cënua, ndërsa rithekson se PD do të vazhdojë të paraqesë pretendimet e saj për manipulime zgjedhore.

Të fundit