Flash News

Ditari i Opozitës

"Non grata"/ Berisha për radion amerikane: E dija që Soros kishte pushtet. Kim, si nga mbretëria e censurës

"Non grata"/ Berisha për radion amerikane: E dija që Soros

Ish-kryeministri Sali Berisha ka dhënë një interviste për radion amerikane "French Capital Podcast", ku ai ka folur me gazetarin e Jason French për shpalljen e tij "non grata" nga DASH. Lidhur me këtë çështje, Berisha ka evidentuar tre pika.

"Së pari, unë jam një rast unik në botë i shpallur non-grata 8 vjet pasi jam larguar nga pozicione drejtuese dhe pushteti ekzekutiv. Së dyti, unë jam i vetmi person në botë i shpallur non-grata kur asnjëherë nuk jam akuzuar në 30 vite nga ndonjë person apo institucion për korrupsion, as unë, as fëmijët. Së treti, u shpalla non-grata sepse kisha përdorur retorikë për të bllokuar hetime, por nuk është zhvilluar kurrë ndonjë hetim zyrtar ndaj meje apo ndaj familjes sime", tha Berisha.

Ai i konsideroi gënjeshtra akuzat e ngritura nga Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken, ndërsa shton se ky i fundit dikur e ka lavdëruar për punën e bërë.

"Gjithçka është gënjeshtër. Sekretari Blinken ka shkruar në Tëetter se z. Berisha ka minuar demokracinë në Shqipëri. Më lejoni të shtoj dy gjëra. Një person që e ka çmuar shumë Sali Berishën si kryeministër që ka luftuar korrupsion ka qenë vetë z. Blinken në pozicionin e kryekëshilltarit të zv.presidentit Biden. Blinkeni si kryekëshilltar i Biden-it më ka pritur një një takim njëorësh si kryeministër i vendit tim dhe më ka lavdëruar në këtë takim", shtoi ish-kryeministri.

Ky i fundit theksoi se vendimi është një hakmarrje e George Soros, duke thënë se ai ka shumë pushtet.

"Është vetëm një hakmarrje politike e Sorosit dhe asgjë më shumë. Ka pushtet të jashtëzakonshëm. Unë e dija që ai është shumë i pushtetshëm, por edhe se duhet të thosha të vërtetën e të mbroja interesin kombëtar kundër çdo kërcënimi. Kjo është detyra ime dhe e realizova. Pasi më shpallën non-grata, DASH u pyet nga gazetarët se nga vinte ky informacion. Përgjigja e tyre ishte se informacioni ishte përftuar nga OJQ, të cilat janë tërësisht të sponsorizuara nga Sorosi", deklaroi Berisha.

Ish-kryeministri ka folur dhe për qëndrimin e ambasadores amerikane në Shqipëri Yuri Kim, e cila i vendosi "ultimatum" kryedemokratit Lulzim Basha që ta përjashtonte Berishën nga PD.

Berisha thotë se Kim iu kërkoi gazetarëve në Shqipëri që të censuronin ish-kryeministrin. Ai shton më tej se ky ishte një gjest i shëmtuar, ndërsa shprehet se ambasadorja nuk duket sikur vjen nga vendi i lirive, por nga mbretëria e censurës.

"Presioni është i lartë nga ambasadorja amerikane. Ajo ka kërkuar që të bllokohet hyrja ime në Kuvend. Ajo bindi kryetarin e partisë që të më përjashtonte nga grupi parlamentar në shkelje të plotë të kushtetutës së partisë.  Ambasadorja amerikane, për çudi, thirri një grup gazetarësh një ditë dhe u kërkoi që të censuronin lëvizjen time në lajme.

Gazetarët nuk ishin të kënaqur me këtë dhe i thanë së në qoftë se dëshironte të mbështeste kryetarin e PD-së Lulzim Basha, atëherë le të shtonte kritikat ndaj qeverisë. Ajo tha se nuk mund të ndërhynte. U mërzita sepse ky është një gjest i shëmtuar, është një shkelje e kushtetutës së SHBA-së. Ajo duket sikur vjen nga mbretëria e censurës, jo nga vendi më i madh i lirise ne botë", ka thënë ndër të tjera Berisha.

Të fundit