Flash News

Ditari i Opozitës

"Nuk e njeh legjitimitetin", Kaso: PD nuk ka luksin të braktisë asnjë llogore beteje

"Nuk e njeh legjitimitetin", Kaso: PD nuk ka luksin të

Më 10 shtator mbaron zyrtarisht mandati i Kuvendit të vjetër dhe pritet të thirret i riu.

Sakaq, demokratët janë në pritje të mbledhjes së forumeve për të përcaktuar rrugën në të cilën duhet të ecë opozita në legjislaturën e re.

Ivi Kaso, deputet i zgjedhur i PD deklaron për Top Channel se ka propozuar mbajtjen e një Kuvendi Kombëtar, i cili do të përcaktojë piketat kryesore të aksionit politik të Partisë Demokratike.

“Dilema është legjitime, që opozita të përballet me këto institucione, pavarësisht që nuk ia njeh legjitimitetin, apo thjesht të mjaftohet me mosnjohjen dhe injorimin e tyre. Ditët e para të muajit shtator, Kryesia e PD, Këshilli Kombëtar dhe – unë kam propozuar bashkë me shumë kolegë të tjerë – mbajtjen e një Kuvendi Kombëtar në një kohë të afërt, i cili do të përcaktojë piketat kryesore të aksionit politik të Partisë Demokratike dhe do të marrë vendimmarrje të rëndësishme”, shprehet Ivi Kaso.

Të vjetrit propozojnë rrugë radikale, por të rinjtë, të cilët presin për t’u ulur për herë të parë në karrigen e deputetit, mbështesin opsionin e betejës brenda institucioneve.

“Qëndrimi im është që PD nuk ka luksin të braktisë asnjë llogore beteje. PD dhe opozita duhet t’i marrin mandatet, pavarësisht se në një Parlament të cilit i mungon tërësisht legjitimiteti – i dalë nga një palë zgjedhje që kanë qenë tërësisht të pabarabarta – duhet që betejën e saj ta bëjë dhe ta çojë përpara edhe në këto forume.”, shton Ivi Kaso.

Në një intervistë për Top Channel, deputeti i zgjedhur Ivi Kaso pranon se rifreskimi i strukturave dhe riformatimi i partisë pas humbjes nuk duhet të jetë tabu. PD duhet të vendosë gishtin në plagë për të kuptuar edhe gabimet e saj, përmes një analize që nuk duhet të përdoret për “koka turku”.

“Kjo analizë është koha të fillojë nga lart-poshtë, pra që nga vlerësimi i performancës së Kryesisë së Partisë Demokratike, me drejtuesit politikë, sekretarët e saj, hierarkinë e lartë ekzekutive, për të kaluar më tej tek vlerësimi i punës së secilit anëtar të Këshillit Kombëtar, më pas të kalojë në vlerësim performance në nivel degësh, grup seksionesh, duke shkuar deri tek seksioni më i fundit. Kështu, dhe kjo historia e rifreskimit dhe e riformatimit të partisë sigurisht nuk është një tabu. Pas një procesi elektoral të tillë, siç ishte farsa zgjedhore e 11 majit, partia ka nevojë të shohë qoftë edhe një brez të ri që afrohet për të marrë përgjegjësitë politike dhe organizative që i takojnë.”, thotë ai. 

Të fundit