Flash News

Ditari i Opozitës

Pandemia, Vasili: Momenti më kritik i saj, Rama të marrë përgjegjësitë

Pandemia, Vasili: Momenti më kritik i saj, Rama të marrë
Petrit Vasili

Nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili ka folur për situatën e pandemisë në vend, duke ngritur disa shqetësime. Ai tha se gjendja me Covid-19 është në një moment kritik, duke evidentuar shifrat e ditëve të fundit.

Sipas numrit dy LSI-së, menaxhimi i pandemisë është shoqëruar nga mungesa e organizimit, kaosi dhe propaganda.

‘Situata me Covid-in është në një moment shumë kritik të saj. Jo më larg se dje numri i rasteve ka qenë afro 900, numri më i lartë në 11 muaj pandemi. Është fare e qartë për të gjithë që këtu, më shumë se çdo gjë tjetër, kërkohet ndihma dhe mbështetja e shtetit, dhe organizimi, gjë që nuk po duket gjëkundi’, tha Vasili në një deklaratë për mediat.

Ai ka nxjerrë dëshminë e një qytetari, i cili flet për barrën e lartë të shpenzimeve në përballimin e sëmundjes. Vasili thotë se qytetarët kanë mbetur në një pozicion shumë të vështirë.

‘Kjo dëshmi nuk ka nevojë për komente të gjata. Kjo është situata e përditshme e mijëra shqiptarëve, që infektohen me Covid dhe historitë me vaksina, ku vihet një trastë vaksine që nuk dihet nga vijnë, të cilat të sorollaten me javë të tëra duke aplikuar nga 20-30 në ditë e ku shqiptari i fundit do të duhet të presë deri në dy vjet për të marrë vaksinën, janë një histori fillim-mbarim propagandistike, e përditshme e shqiptarëve është kjo përballje me virusin dhe me pandeminë në mënyrën më të vështirë, më ekstreme dhe më kritike’, u shpreh Vasili.

Ky i fundit thotë se kryeministri Rama duhet të përballet me përgjegjësitë e tij. Vasili deklaroi se kryeministri Rama në vend që të marrë masa për shqiptarët dhe të ketë strategjinë e duhur, ‘ka konsumuar një tradhti kombëtare të mirë menduar dhe të mirë përcaktuar’.

Të fundit