Flash News

Ditari i Opozitës

Pas Këshillit, mblodhi grupin parlamentar/ Zbardhen ‘porositë’ e Bashës për deputetët

Pas Këshillit, mblodhi grupin parlamentar/ Zbardhen

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, mblodhi dje Këshillin Kombëtar dhe miratoi unanimisht rezolutën e propozuar dy ditë më parë, kundër vendimeve të Kuvendit të Berishës më 11 Dhjetor.

Sikurse Basha paralajmëroi,Këshilli votoi në mënyrë të fshehtë shkarkimin nga funksionet partiake të anëtarëve që iu bashkuan Berishës, mes tyre kreu i Këshillit Kombëtar Edi Paloka, dhe anëtarët: Belind Këlliçi,Albana Vokshi, Aldo Bumçi, Ivi Kaso, Flamur Noka, Gent Strazimiri, Oerd Bylykbashi dhe sekretarët: Ervin Minarolli, Ivi Kaso, Belind Këlliçi dhe Ledina Mandia.

Burime nga selia blu, bëjnë me dije se pas përfundimit të mbledhjes, Basha ka mbledhur grupin parlamentar të Pd-së, për t’iu dhënë udhëzime. Mësohet se kreu i demokratëve iu ka kërkuar deputetëve t’iu gjenden afër familjeve të prekura nga përmbytjet.

Po ashtu, Basha ka kërkuar nga demokratët që aktivitetin parlamentar të kësaj jave, ta ndërthurin me aktivitetin përgatitor në strukturat e partisë në lidhje me përgatitjet për Kuvendin Kombëtar të thirrur nga Kryesia e Partisë Demokratike këtë të shtunë, në datë 18 dhjetor.

Basha përcaktoi datën 18 Dhjetor, si një ditë vendimtare për partinë, në të cilën do të flasë jo vetëm në emër të demokratëve por të gjithë shqiptarëve.

Kujtojmë se dy ditë më parë, në Kuvendin e 11 Dhjetorit, delegatët votuan shkarkimin e Lulzim Bashës nga posti i kryetarit, me 4446 vota pro. Njëherazi, u shkarkua edhe Sekretari i Përgjithshëm Gazment Bardhi dhe tre nënkryetarët: Grida Duma, Enkelejd Alibeaj dhe Jorida Tabaku.

Të fundit