Flash News

Ditari i Opozitës

Pas më shumë se 7 orësh, përfundon mbledhja e Kuvendit Kombëtar të PD

Pas më shumë se 7 orësh, përfundon mbledhja e Kuvendit

Rreth 7 orë e gjysëm ka zgjetur mbledhja e Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike, e cila ka përfunduar pak minuta më parë.

Delegatët në Kuvendin Kombëtar të PD-së miratuan sot 11 propozimet e kryedemokratit Lulzim Basha për ndryshimet në statut. Ky i fundit propozonte një kryesi më të zgjeruar, ku përveç kryetarit të Këshillit Kombëtar, do të zenë vend edhe drejtues te disa strukturave të tjera, të cilët më parë nuk kanë qenë pjesë e forumeve të PD -së. Një tjetër propozim i Lulzim Bashës është qe numri i sekretarëve të mos jetë i limituar, por të caktohet nga kryetari.

Më pas, nisi votimi për anëtarët e rinj të Këshillit Kombëtar, mandati i të cilit u ndërpre para kohe. Një votues kishte të drejtën e zgjedhjes së 35 emrave në një listë me rreth 600 të tillë. Pritet që rezultati të shpallet ditën e nesërme, pas numërimit të votave që do të tregojnë më pas se kush janë 300 anëtarët e rinj të cilët do të përbëjnë Këshillin Kombëtar të PD-së. Referuar statutit, anëtarët e Kryesisë, deputetët, si dhe ish-Kryeministrat, ish-Kryetarët e PD, ish-Presidentët dhe ish-Kryeparlamentarët e kësaj force politike, janë automatikisht anëtarë të Këshillit.

Fjalën i pari në Kuvendin Kombëtar e mori kryetari i PD-së Lulzim Basha, i cili përcolli mesazhin kryesor politik dhe konfirmoi se në shtator do të futet në Kuvend, pavarësisht se nuk i njeh zgjedhjet e 25 Prillit. Më pas ishin drejtuesit politik të qarqeve që bënë me dije faktorët që e çuan PD-në në humbje më 25 Prill. Një zë kritik ishte drejtuesi politik i Lezhës, Mark Marku i cili propozoi ngritjen e Komisioni Rithemelimi për PD-në. Ndërsa, drejtuesi politik i Vlorës Bujar Leskaj mori përsipër përgjegjësinë e mos arritjes së objektivit më 25 prill në këtë qark.

Në mbledhjen e sotme mungoi kryetari i Këshillit Kombëtar, Bujar Nishani, ndërsa Agron Shehaj, u largua para kohe dhe nuk e mbajti fjalimin e tij si drejtues politik. I pranishëm në sallë ishte dhe lideri historik i PD-së, Sali Berisha, por nuk mbajti një fjalim.

Anëtarët e rinj të Këshillit Kombëtar që do të zgjidhen sot, do të rinovojnë lidershipin e PD-së, ku pritet të zgjedhin sekretarët e rinj të PD-së, por edhe nënkryetarët e partisë.

Të fundit