Flash News

Ditari i Opozitës

Patozi: As Luli nuk ka zgjedhur Amerikën dhe as kjo e fundit nuk e ka zgjedhur Bashën

Patozi: As Luli nuk ka zgjedhur Amerikën dhe as kjo e fundit nuk e ka

Ish- kreu i Bindjes Demokratike Astrit Patozi ka reaguar sërish për përplasjen Basha-Berisha, e cila është kthyer në temën më të nxehtë të kohëve të fundit duke ngjallur debate edhe mes analistëve.

Në një postim në Facebook, Patozi bën të qartë se "as Luli nuk ka zgjedhur Amerikën dhe, as kjo e fundit nuk e ka zgjedhur Bashën." Ai thekson se nga njëra anë, Amerika nuk gjeti dot mashën e duhur për të arritur objektivin dhe nga ana tjetër, Basha “shiti doktorin për të mbrojtur veten.”

Postimi i plotë:

AS LULI NUK KA ZGJEDHUR AMERIKËN DHE AS KJO E FUNDIT BASHËN

Që të mos bëjnë debat kot Bejtja me Preçin, por edhe që të bien rehat të tjerët, as Luli nuk ka zgjedhur Amerikën dhe, as kjo e fundit nuk e ka zgjedhur Bashën.

Nëse do të ishte kaq euroatlantist Luli nuk do t'ua kishte plasur buzën atyre, që nga 2017-a e këndej, një herë duke ndërruar mendje në çastin e fundit, pas pazarit me Ramën, e pastaj duke djegur mandatet dhe duke bojkotuar zgjedhjet.

Nuk besoj se e dyshon njeri që për botën demokratike ka shumë më tepër vlerë moshyrja në zgjedhje dhe kërcënimi për t'i prishur ato me dhunë, sesa qëndrimi ndaj një personi, qoftë ky edhe "non grata" me damkë të fortë amerikane.

Ndaj edhe nuk ka asgjë të lavdishme në vendimin e Lulzim Bashës për të nxjerrë jashtë grupit të Partisë Demokratike Sali Berishën, përveç faktit që ai ka zgjedhur të mbrojë prapanicën e vet, duke shitur doktorin.

Ndërsa Amerika, sipas meje, nuk ka gjetur tek Lulzim Basha partnerin e besueshëm të vlerave të saj, por thjesht te keqen më të vogël dhe mashën e duhur për të arritur një objektiv të saj.

Ndaj e kanë trajtuar kaq pa respekt edhe në këtë rast dhe nuk besoj se do të trajtohet ndonjëherë si i vlerësuar në të ardhmen. Njësoj siç konsiderohen kudo në botë "të penduarit" e drejtësisë, të cilët për të shpëtuar lëkurën e vet, pranojnë të dorëzojnë shokët. Por vetëm kaq.

Të fundit