Flash News

Ditari i Opozitës

PD denoncon nepotizmin dhe klientelizmin në Universitetin e Gjirokastrës

PD denoncon nepotizmin dhe klientelizmin në Universitetin e

Drejtuesja e Departamentit të Arsimit në Partinë Demokratike, Lili Sula, ka bërë një denoncim të ashpër mbi situatën e Universitetit “Eqrem Çabej” në Gjirokastër, duke e cilësuar atë si një shembull të shpërbërjes së arsimit të lartë publik në Shqipëri.

Sula theksoi se nepotizmi i shfrenuar dhe krijimi i dinastive familjare dhe politike ka pushtuar çdo hallkë të universitetit, nga punësimet te diplomat fantazmë, nga zbrazja e auditorëve te menaxhimi i fondeve pa transparencë. Sipas saj, shumë drejtues, pedagogë dhe familjarë të tyre kanë marrë pozicione kyçe në administratë dhe departamente akademike, duke krijuar një rrjet interesash të ndërthurura.

Ajo u bëri thirrje Ministrisë së Arsimit, Kontrollit të Lartë të Shtetit, Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, si dhe organeve të drejtësisë, që të nisnin verifikime të thelluara dhe të pavarura mbi fenomenin e konfliktit të interesit dhe nepotizmit në të gjitha universitetet publike në vend.

Deklarata e Sulës:

Gjatë këtyre trembëdhjetë viteve të qeverisjes së Edi Ramës, universiteti me emrin e madh të shkencave albanologjike, Eqrem Çabej, në Gjirokastër, është shndërruar në simbol të shpërbërjes së arsimit të lartë publik në Shqipëri.

Nepotizmi i shfrenuar, krijimi i dinastive familjare dhe politike sundon çdo hallkë të universitetit: nga punësimet te diplomat fantazmë; nga zbrazja e auditorëve te mjegullnaja e fondeve financiare, të lëvruara pa transparencë e shpesh në funksion të interesave të ngushta të drejtuesve që shkojnë deri në pikën e mospagesës për pedagogë të brendshëm kundrejt qokave për pedagogët e jashtëm.

Raportimet mediatike dhe nga terreni dëshmojnë se grupet nepotike kanë uzurpuar çdo strukturë universitare:

– Në zyrën e kurrikulave gjendet ish-sanitarja e Universitetit, edhe pse ky pozicion kërkon profesioniste për ekspertiza të mirëfillta.

– Nuk ndodh kund në botë që zv. rektorja dhe përgjegjësja e marrëdhënieve me jashtë e universitetit, njëkohësisht kryetare e këshillit bashkiak të Gjirokastrës, e pagëzuar me titullin ‘Lubia e universitetit’ pedagogia e anglishtes M. I. të ketë edhe dy kunatat dhe dy kushërirat e para pedagoge.

– Ish-rektori B. M. ka djalin dhe nusen e djalit dhe krushkun pedagog dhe një person të afërt sekretare. 

– Një tjetër ish-rektor, G. S., aktualisht zv/rektor ka edhe bashkëshorten shefe departamenti të historisë edhe djalin pedagog.

– Kryetari i bordit të universitetit, pedagogu, Th. T. ka marre edhe dy motrat pedagoge.

– Dekani i shkencave të Natyrës, S. M., ka dy vajzat pedagoge dhe nusen e nipit laborante.

– Në degën e studimit të Greqishtes janë 5 pedagogë në lidhje bashkëshortore dhe familjare shumë të afërta.

– Kancelari dhe administrator S. G., ka 2 pedagoge, vëlla e motër, 2 kushërinj.

– Nepotizmi që është  shtrirë në të gjitha strukturat akademike në këtë universitet e ka pasur më të  lehtë të zaptojë administratën: pesë anëtarë nga familja Shehu punojnë në administratë.

Kjo është vetëm një pjesë e panoramës së Universitetit të Gjirokastrës i cili nga qendër e dijes dhe kërkimit, është kthyer në një rrjet interesash të ndërthurura familjare dhe politike, ndërsa merita është zëvendësuar nga klientelizmi dhe korrupsioni.

Në këtë realitet të rëndë, ministria e arsimit, znj. Mirela Kumbaro, sikur të jetojë në ishull, ironikisht, flet për hartimin e strategjisë  2027-2032 me prioritet cilësinë; për krijimin e mekanizmave për  të kontrolluar cilësinë në arsimin e lartë dhe për ndërkombëtarizim të arsimit të lartë; për rishikimin e ligjit 80/2015, pas 11-të vitesh nga hyrja e tij në zbatim, pa zënë me gojë kolapsin e plotë universitar, që nuk karakterizon vetëm një universitet, por prej vitesh, ka ngërthyer gjithë sistemin universitar publik në vend.

U bëj thirrje institucioneve përgjegjëse si Ministria e Arsimit, Kontrolli i Lartë i Shtetit, Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit si dhe organeve të drejtësisë  që të nisin pa vonesë verifikime të thelluara dhe të pavarura mbi fenomenin e konfliktit të interesit dhe nepotizmit në të gjitha universitetet publike në vend.

Vetëm përmes transparencës, hetimit të paanshëm dhe ndëshkimit të çdo shkeljeje ligjore mund të rikthehet besimi i publikut dhe të garantohet funksionimi i një sistemi universitar të bazuar në meritë dhe integritet.

Të fundit