Flash News

Ditari i Opozitës

PD dorëzon raportin për imunitetin e Ballukut: Kuvendi të votojë pro arrestimit, mos uzurpojë kompetencat gjyqësore

PD dorëzon raportin për imunitetin e Ballukut: Kuvendi të

Partia Demokratike ka depozituar sot në Kuvend raportin e nxjerrë nga Këshilli i Mandateve, për dhënien e autorizimit për arrestimin e Belinda Ballukut.

Kreu i grupit parlamentar të opozitës, Gazment Bardhi, deklaroi se PD mbështet kërkesën për heqjen e imunitetit të ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, ndaj të cilës po zhvillohen hetime nga drejtësia.

Në një konferencë për mediat, Bardhi tha se prokuroria ka dokumentuar prova për abuzim me detyrën dhe paracaktim të garës në 11 procedura tenderuese me vlerë rreth 1.1 miliard euro. Sipas tij, hetimet sugjerojnë dëm financiar për shtetin dhe rrezik penal për ish-zyrtaren.

“Ne jemi pro kërkesës së SPAK. Pro drejtësisë. Pro barazisë përpara ligjit. Prokuroria ka dokumentuar në mijëra faqe prova se bashkëpunëtorja e Edi Ramës, ish Zëvendëskryeministria Belinda Balluku, ka abuzuar me detyrën dhe në mënyrë korruptive ka paracaktuar garën për 11 procedura publike me vlerë 1.1 miliard euro. Sipas prokurorisë ajo i ka shkaktuar një dëm të madh financiar shtetit shqiptar, dhe rrezikon deri në 35 vite burg. Po sipas prokurorisë, gjatë këtyre muajve, ajo po prish provat dhe po kërcënon dëshmitarët, përmes grupeve kriminale dhe përmes vartësve të saj.

Mirëpo, Edi Rama ka vendosur të pengojë drejtësinë dhe të mbrojë korrupsionin e saj. Arsye e thjeshtë: Është vetë i përfshirë. Është peng i Belinda Ballukut, sepse është ai autori i ngritjes së sistemit korruptiv, që po vret ekonominë, tregun e lirë, që po varfëron shqiptarët dhe po i detyron të largohen nga Shqipëria. Kjo sjellje e Edi Ramës është antikushtetuese, është rrënim i shtetit ligjor, është goditja më e rëndë ndaj Reformës në Drejtësi dhe pritshmërisë së qytetarëve për barazi para ligjit dhe për fundin e pandëshkueshmërisë”, deklaroi Bardhi.

Bardhi thekson se sipas standardeve kushtetuese, Kuvendi nuk ka kompetencë të vlerësojë masën konkrete të sigurimit apo nevojën hetimore, pasi kjo është kompetencë ekskluzive e pushtetit gjyqësor.

“Kuvendi verifikon vetëm procedurën që është zhvilluar, pa i hyrë cilësisë dhe vlerës së provave në drejtim të faktit penal dhe të autorësisë. Imuniteti procedural nuk mundet dhe nuk duhet që në asnjë rrethanë të shndërrohet në një mburojë nga pandëshkueshmëria apo si pengesë për drejtësinë. Nëse pranohet e kundërta, atëherë ҁdo akt i prodhuar është absolutisht i pavlefshëm, sepse në mënyrë të dukshme Kuvendi tejkalon kompetencën e tij dhe merr kompetencë për ushtrim të paligjshëm të ndjekjes penale, pra uzurpon kompetenca gjyqësore”, citoi Bardhi në raport.

Dokumenta bashkëngjitur

Të fundit