Flash News

Ditari i Opozitës

PD kërkon hetim nga SPAK: Skandali me Qukës-Qafë Plloçë, miliona të shpërdoruara me rrugë të pakolauduara

PD kërkon hetim nga SPAK: Skandali me Qukës-Qafë

Partia Demokratike ka denoncuar publikisht dështimin e projektit të rrugës Qukës-Qafë Plloçë, një investim 40.5 km me vlerë 152 milionë dollarë, i cili u inaugurua vetëm dy muaj më parë, por tashmë është dëmtuar rëndë.

Sipas zëdhënëses së Antikorrupsionit, Genta Vangjeli, projekti është karakterizuar nga vonesa të mëdha, kosto shtesë prej të paktën 60 milionë dollarësh, mangësi në projektim dhe menaxhim, si dhe procedura të dyshimta prokurimi që favorizuan klientelizmin.

Vangjeli theksoi se hapja e rrugës është bërë pa kolaudim, duke rrezikuar jetën e qytetarëve, dhe kërkoi nga SPAK nisjen e menjëhershme të hetimeve për shpërdorim fondesh dhe korrupsion.

DEKLARATA:

Deklarata e zëdhënëses së Antikorrupsionit në PD, Genta Vangjeli:

Projekti i ‘Ndërtimit të rrugës Qukës-Qafë Plloçë’, një histori abuzimesh, vonesash dhe shpërdorimi të miliona eurove të fondeve publike, që ka kulmuar me dëmtimin e rëndë të rrugës vetëm dy muaj pas inaugurimit propagandistik të Kryeministrit Edi Rama.

Projekti me gjatësi 40.5 km, i ndarë në tre lote, me vlerë të vlerësuar 152 milionë dollarë, financuar nga Banka Islamike për Zhvillim, Fondi Saudit për Zhvillim dhe Qeveria Shqiptare, është kthyer në simbolin e dështimit dhe korrupsionit qeveritar.

Edhe pse lotet 1 dhe 2 duhej të kishin përfunduar në vitin 2018 dhe loti 3 në vitin 2017, asnjë prej tyre nuk u finalizua në kohë. Rruga u hap me 7-8 vite vonesë, duke rritur kostot me të paktën 60 milionë dollarë shtesë.

Përveç kostove të ndërtimit dhe mbikëqyrjes, janë zhvilluar dy procedura për shërbime konsulence me vlerë 5.6 milionë euro, ndërkohë që ARRSH ka shfaqur mangësi të theksuara në projektim dhe menaxhimin e financimit, veçanërisht për lotin 3.

Kontrolli i Lartë i Shtetit paralajmëroi që në vitin 2019 për rreziqet dhe problemet e rënda të këtij projekti, por paralajmërimet u injoruan.

Më alarmante është se mbi këtë aks janë mbivendosur fonde publike përmes 6 kontratave të tjera prokuruar nga ARRSH me vlerë totale 2.4 milionë euro për punime dhe mirëmbajtje të kësaj rruge që prej vitit 2018 e në vijim.

Fituesi i fundit i shpallur më 20 nëntor, ishte kompania ‘2T shpk’, në pronësi të vëllait të kryebashkiakut të Tepelenës, ku si për lotin 1 dhe për lotin 3 me gjithë problemet e paraqitura në të shkuarën janë përzgjedhur të njëjtët fitues , tregues që ngre dyshime se garat nuk kanë qenë reale, por të paracaktuara, duke konsoliduar klientelizmin dhe korrupsionin.

Pas rrëshqitjes së skarpatave dhe dëmtimit të rëndë të rrugës vetëm dy muaj pas inaugurimit, mediat raportuan se kompania 2T ka nisur punimet për largimin e masivit shkëmbor ndërkohë që ende nuk ekzistonte një kontratë e lidhur dhe e njoftuar e tillë në sistemin elektronik të prokurimeve për këtë qëllim.

Edhe më shqetësues është fakti se rruga është hapur pa procedurë kolaudimi. Ligji është i qartë: asnjë vepër infrastrukturore nuk mund të hapet pa u certifikuar cilësia e punimeve. Hapja e këtij aksi pa kolaudim ka vënë drejtpërdrejt në rrezik jetën e qytetarëve.

Partia Demokratike kërkon që SPAK të nisë menjëherë hetimet për këtë aferë të rëndë korruptive, të identifikojë dhe ndëshkojë përgjegjësit, si dhe të garantojë llogaridhënie për miliona euro të shpërdoruara dhe për rrezikun e madh të shkaktuar ndaj qytetarëve.

Shqiptarët meritojnë transparencë, siguri dhe institucione që punojnë për ta, jo projekte të dështuara, kosto të fryra dhe korrupsion të pandëshkueshëm.

 

Dokumenta bashkëngjitur

Të fundit