Flash News

Ditari i Opozitës

PD padit në SPAK Ramën, Bardhi: Si u lirua një kriminel pas ndërhyrjes së kryeministrit; telefonata

PD padit në SPAK Ramën, Bardhi: Si u lirua një kriminel pas
Foto ilustruese

Partia Demokratike ka dorëzuar në SPAK kallëzimi penal për kryeministrin Edi Rama. Në një deklaratë për mediat Sekretari i Përgjithshëm Gazmend Bardhi bëri me dije se rreth një muaj më parë, PD ka paditur Ramën, Drejtorin e Policisë së qarkut Shkodër, Niko Ibrahimaj, kandidatin për deputet Frrok Gjinin dhe vëllezërit Ilir e Basri Babaj/Baba. Ilir Babaj është Drejtor i Ujësjellës Kanalizimeve në Vaun e Dejës. Sipas PD, ky i fundit është me të shkuar kriminale.

PD i akuzon të paditurit për “Shpërdorim detyre”, “Mbajtje pa leje dhe prodhim të armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, “Korrupsion aktiv në zgjedhje” dhe “grupit të strukturuar kriminal”.

Bardhi tha se tre ditë para zgjedhjeve Basri Babaj/Baba u ndalua nga policia, teksa qarkullonte me makinë të blinduar në Vaun e Dejës dhe u çua në Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër.

Ai tha se në makinë, Basri Babajt iu gjetën materiale, që sipas Bardhit, e kompromentojnë për blerjen e votave. Bardhi thotë se ka ndërhyrë vetë Rama me ndërmjetësimin e Frrok Gjinit për lirimin e Basri Babajt.

"Në makinë janë gjetur, në cilësinë e provës materiale 2 armë zjarri, shuma të mëdha parash që përdoreshin për të blerë vota si dhe materiale zgjedhore dhe lista të banorëve të zonës. Me ndërhyrjen e kryeministrit Edi Rama, Basri Babaj është lënë i lirë në mesnatën e po asaj dite.

Ndërhyrjen e Edi Ramës e ka ndërmjetësuar një telefonatë e Frrok Gjinit, i renditur i pesti në listën e Partisë Socialiste në qarkun e Shkodrës. Mënjeherë pas lirimit, Edi Rama ka zhvilluar një telefonatë me Ilir Babajn, person me të shkuar kriminale dhe njëkohësisht Drejtor i Ujësjellës Kanalizimeve Vau i Dejës ku i ka kërkuar atij të punojnë sa më fort për fitoren e Partisë Socialiste", tha Bardhi.

Sipas këtij të fundit, janë me dhjetëra përfaqësues të Partisë Socialiste, drejtues të administratës qendrore dhe lokale, njerëz të krimit të organizuar që kanë blerë vota dhe kanë shantazhuar zgjedhësit.

 

Të fundit