Flash News

Ditari i Opozitës

PD publikon dokumentet: Ku kanë përfunduar 1.2 mln euro fonde publike për rikonstruksionin e Vilës 31

PD publikon dokumentet: Ku kanë përfunduar 1.2 mln euro fonde publike

Partia Demokratike e Shqipërisë publikoi dokumente që, sipas saj, ngrenë pikëpyetje mbi përdorimin e rreth 1.2 milionë eurove fonde publike për rikonstruksionin e Vila 31.

Në një deklaratë për mediat, zëdhënësja e Antikorrupsionit në PD, Genta Vangjeli, tha se ndonëse rinovimi i godinës është prezantuar publikisht si një projekt i realizuar me mbështetjen e fondacionit francez Art Explora Foundation dhe nga studio arkitekturore NeM Architects, dokumentet zyrtare tregojnë se më herët është zhvilluar një tender me fonde shtetërore për rikonstruksionin e saj.

Sipas saj, kontrata për këto punime është lidhur nga Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare me një operator ekonomik privat, duke ngritur dyshime mbi destinacionin e parave të taksapaguesve dhe duke kërkuar sqarime nga kryeministri Edi Rama.

Deklarata e zëdhënëses së Antikorrupsionit në PD, Genta Vangjeli:

Në janar 2025, Kryeministri Edi Rama zhvilloi një konferencë për shtyp me rastin e hapjes së rezidencës artistike Vila 31 x Art Explora, ku u deklarua publikisht se rinovimi i kësaj godine ishte kryer nga një studio arkitekturore ndërkombëtare.

Në njoftimet publike në rrjetet sociale, faqja zyrtare e Vilës 31 x Art Explora bën me dije se në Prill 2025, godina është rinovuar me mbështetjen e fondacionit Art Explora në Francë.

Restaurimi i Vilës 31 është prezantuar si një punë e kryer nga studio arkitekturore NeM Architects.

Por dokumentet zyrtare tregojnë një histori tjetër.

Rezulton se 1.2 milion euro nga fondet publike janë prokuruar më herët për rikonstruksionin e Vilës 31 nga Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare, me miratim të Kryeministrit.

Madje, operatori ekonomik ‘Valona Konstruksion shpk’ është shpallur fitues i tenderit, dhe më 21 korrik 2023 ka lidhur kontratën nr. 144/17 me Drejtorinë e Shërbimeve Qeveritare, me afat realizimi 12 muaj, pikërisht për rikonstruksionin e Vilës 31.

Këto fakte ngrenë dyshime serioze për mënyrën se si janë përdorur paratë e shqiptarëve.

Nëse rinovimi i kësaj godine është kryer nga studio e huaj me mbështetje të një fondacioni ndërkombëtar, atëherë Kryeministri ka detyrimin të sqarojë publikisht:

Çfarë punimesh ka realizuar konkretisht operatori fitues Valona Konstruksion shpk?

Ku kanë përfunduar 1.2 milion euro nga paratë e taksapaguesve shqiptarë?

Transparenca për fondet publike nuk është çështje propagande, por detyrim ligjor dhe moral ndaj qytetarëve.

Çdo mospërputhje mes deklarimeve publike dhe dokumenteve zyrtare kërkon sqarim të menjëhershëm dhe të plotë, sepse shqiptarët nuk mund të trajtohen si spektatorë të propagandës së qeverisë, ndërsa miliona euro nga taksat e tyre mbeten pa përgjigje.

Të fundit