Flash News

Ditari i Opozitës

PD: Qeveria arkëtoi 550 milionë euro nga rritja e çmimeve, shqiptarëve u ktheu vetëm “karamele elektorale”

PD: Qeveria arkëtoi 550 milionë euro nga rritja e çmimeve,

Anëtari i Kryesisë së PD, Eno Bozdo ka ngritur si shqetësim çmimin e lartë të naftës në Shqipëri. Ai thotë se edhe pse çmimi në bursa, ka shënuar rënien më të djeshme të muajve të fundit, në vend vijon të mbetet i lartë. Sipas Bozdos, nafta është e shtrenjtë për shkak të taksimit të lartë të qeverisë së Edi Ramës.

“Çmimi i naftës kudo në botë ka shënuar ulje të ndjeshme gjatë dy muajve të fundit, duke kapur nivelet e çmimeve te paraluftës në Ukrainë.

Shqipëria ka qenë gjithmonë gjatë këtyre viteve, edhe shumë përpara luftës, vendi me naftën më të shtrenjtë në rajon dhe ndër më të shtrenjtat në Evropë. Nafta në Shqipëri, për shkak të taksimit shumë të lartë të qeverisë së Edi Ramës, ishte më e shtrenjtë se në Gjermani, Francë, Norvegji dhe plot vende të tjera evropiane.

Por, në të gjitha këto, vende çmimi i naftës, pas stabilizimit të tregjeve ndërkombëtare, është ulur ndjeshëm. Me përjashtim të Shqipërisë ku ky çmim njeh vetëm rritje. Përpara disa ditësh, Bordi i Qeverisë vendosi të rrisë përseri çmimin e naftës, edhe pse në bursën ndërkombëtare ky çmim është ekzaktësisht në nivelet e paraluftës”, tha Bozdo nga selia blu.

Sipas llogaritjeve të ekspertëve, vitin e kaluar vetëm si pasojë e rritjes së çmimeve, qeveria shqiptare futi në xhep afërsisht 550 milionë euro, sipas Bozdos. Nga këto para, asgjë nuk i është kthyer shqiptarëve në formën e subvencioneve për rritjen e çmimeve.

“Në fakt, çfarë u kthehet atyre janë vetëm karamele elektorale, sepse zgjedhjet vendore po afrojnë. Rritja e çmimeve ka varfëruar edhe më tej të varfërit dhe po e çon shtresën e mesme me shpejtësi drejt varfërimit të plotë. Shqiptarët deklarojnë se 42% e buxhetit të tyre shkon vetëm për ushqime. Ndërkaq, ushqimet e shportës jane shtrenjtuar mesatarisht me 12%.

Edi Rama e di dhe e njeh mirë këtë situtatë. Por aq i bën. Për sa kohë ka zgjedhur strategjinë e varfërimit të mëtejshëm dhe të përzënies të atyre që nuk e duan qeverinë e tij. Dhe, për sa kohë mban rreth vetes ata ministra që një pjesë e vjedhin për xhepat e tyre dhe të shefit dhe pjesën tjetër e bëjnë termet duke  vjedhur votat e shqiptarëve me paratë e shqiptarëve”, shtoi ai.

Të fundit