Flash News

Ditari i Opozitës

PD: Qytetarët presin bonusin e qirasë dhe banesat, Bashkia e Tiranës bën tendera për mobilie

PD: Qytetarët presin bonusin e qirasë dhe banesat, Bashkia e

Partia Demokratike ka denoncuar shpërdorimin e fondeve publike nga Bashkia e Tiranës përmes tenderave të dyshimtë dhe me mungesë konkurrence, që rëndojnë buxhetin e qytetarëve.

Zëdhënësja për Antikorrupsionin në PD, Genta Vangjeli, deklaroi nga selia blu se sipas Open Procurement, në total, 17 milion euro me TVSH janë shpenzuar nga Bashkia e Tiranës për pajisje dhe orendi mobilimi, përmes 63 tenderave, ku janë shpallur fitues vetëm 16 operatorë ekonomikë – mesatarisht 4 tendera për çdo operator.

"Ky përqendrim alarmues nuk është aspak rastësor, por pasojë e kritereve kualifikuese të hartuara me qëllim favorizimin e subjekteve të caktuara, në shkelje të konkurrencës së ndershme.

Ky model është tashmë i dukshëm edhe në drejtimin e kryetares së komanduar të Bashkisë Tiranë, znj. Anuela Ristani.

Në datë 23 qershor, ishte parashikuar zhvillimi i një procedure prokurimi me objekt:

‘Blerje pajisje dhe orendi për nevoja të institucioneve të Bashkisë Tiranë, Loti 2’, me fond limit 310 mijë euro", deklaroi Vangjeli.

Vangjeli deklaroi se kjo procedurë përmban kritere të pajustifikuara dhe joproporcionale me objektin dhe natyrën e kontratës, duke cënuar ligjshmërinë dhe parimet e barazisë së trajtimit të operatorëve, në kundërshtim me: nenet 2, 3, 21 dhe 77 të Ligjit nr. 162/2020 ‘Për prokurimin publik’, i ndryshuar; nenet 40, 41, dhe 78, të VKM nr. 285, datë 19.05.2021 ‘Për miratimin e rregullave të prokurimit publik’, i ndryshuar.

Ajo u shpreh se në një kohë kur qytetarët e Tiranës presin ende përfundimin e procesit të rindërtimit, pagesën e bonuseve të qirasë dhe mbështetje për familjet në nevojë, është e papranueshme që përparësi t’u jepet tenderave për mobilim luksoz.

Në emër të PD, Vangjeli i bëri thirrje Bashkisë së Tiranës dhe Anuela Ristanit të rishikojnë menjëherë këto praktika të dëmshme dhe të fokusohen në nevojat reale të qytetarëve.

Dokumenta bashkëngjitur

Të fundit