Flash News

Ditari i Opozitës

PD rrëzon policinë: S’ka 12 të plagosur, ka dhjetëra protestues të dhunuar e të arrestuar

PD rrëzon policinë: S’ka 12 të plagosur, ka dhjetëra

Partia Demokratike ka hedhur poshtë si mashtrime dhe të pabazuara deklaratat e zëdhënësve të Policisë së Shtetit, sipas të cilave gjatë protestës së sotme janë plagosur 12 efektivë policie.

Në një reagim zyrtar, PD shprehet se nga informacionet e grumbulluara në mënyrë operative në të gjitha spitalet e kryeqytetit, asnjë efektiv policie nuk është paraqitur për ndihmë mjekësore.

Sipas demokratëve, përpjekja për ta paraqitur protestën si të dhunshme është një manovër politike, që sipas tyre buron nga frika e kryeministrit Edi Rama dhe strukturave të tij, në një moment kur zhvillimet politike në vend kanë hyrë në atë që opozita e quan “kilometri i fundit”.

Partia Demokratike thekson se në realitet ka dhjetëra protestues të lënduar dhe dhjetëra të tjerë të arrestuar, shpesh në mënyrë të paligjshme. Sipas saj, arrestimet janë kryer edhe nga persona pa uniformë, pa shenja identifikuese policie, të cilët PD i cilëson si patronazhistë të qeverisë.

Në reagimin e saj, PD paralajmëron se çdo tejkalim të kompetencave dhe çdo shkelje të ligjit do ta dokumentojë, duke theksuar se çdo person përgjegjës do të përballet me pasojat ligjore.

Gjithashtu, Partia Demokratike falënderon mbështetësit dhe protestuesit për pjesëmarrjen, duke garantuar të ndaluarit dhe familjarët e tyre se do të marrin çdo ndihmë ligjore dhe mbështetje të nevojshme.

DEKLARATA E PLOTE

Partia Demokratike i konsideron mashtrime dhe të pabaza pretendimet e zëdhënësve të narkopolicisë se janë plagosur 12 efektivë policie.
Sipas informacioneve tona të grumbulluara në mënyrë operative në të gjitha spitalet e kryeqytetit, asnjë efektiv policie nuk është paraqitur për ndihmë të parë.
Përpjekja për të ngjyrosur me dhunë një protestë masive kundër narkoregjimit, nuk është gjë tjetër veçse frika e Ramës dhe shërbëtorëve të tij se zhvillimet politike në Shqipëri kanë arritur në ‘kilometrin e fundit’.
Partia Demokratike thekson se, jo vetëm nuk ka policë të plagosur, por ka dhjetëra protestues të lënduar dhe dhjetra të tjerë të arrestuar, shpesh në mënyrë të paligjshme nga patronazhistë të qeverisë, njerëz pa uniformë dhe pa simbolet e policisë.
Çdo tejkalim i ligjit do të merret shënim dhe çdo abuzues do të mbajë përgjegjësi të plota.
Partia Demokratike falenderon edhe njëherë të gjithë mbështetësit dhe protestuesit, dhe siguron të ndaluarit dhe familjarët e tyre, se ata do të marrin çdo ndihmë ligjore dhe mbështetje.
Ky është fillimi i fundit për narkoregjimin dhe narkopolicinë.
Tërbimi i demonstruar sonte me përdorim gazrash helmuese dhe dhune të shpërpjestuar është dëshmi e kësaj.

ZYRA E MEDIAS DHE KOMUNIKIMIT, PARTIA DEMOKRATIKE

Të fundit