Flash News

Ditari i Opozitës

Përleshja me thika në Kamëz, PD: Shkollat janë kthyer në fole rreziku, qeveria mbulohet me propagandë

Përleshja me thika në Kamëz, PD: Shkollat janë kthyer

Drejtuesja e Departamentit të Arsimit në Partinë Demokratike, Lili Sula, ka reaguar me tone të ashpra pas përleshjes me thika mes gjimnazistëve në shkollën “Ibrahim Rugova” në Kamëz, ku dy të rinj përfunduan në spital me plagë të rënda.

Sula e cilëson këtë si një sinjal alarmi për dështimin e institucioneve arsimore dhe mungesën e vullnetit politik për të adresuar dhunën, bullizmin dhe pasojat tragjike që po përshkruajnë fillimin e vitit shkollor.
Në një deklaratë, ajo tha se sistemi arsimor është kthyer në një terren të pasigurt për fëmijët, ku mungojnë psikologët, oficerët e sigurisë dhe programet edukative, ndërsa politika vazhdon të mbulojë dështimet me propagandë.

DEKLARATA E DREJTUESES SË DEPARTAMENTIT TË ARSIMIT NË PD, LILI SULA

Ngjarja shumë e rëndë në gjimnazin “Ibrahim Rugova” në Kamëz flet për mungesën e sigurisë në shkollë; 16-vjeçarë që përleshen me thika, mes të cilëve 2 janë transportuar në spital me plagë të rënda.

Jemi në muajin e parë të vitit shkollor, fillim shkolle i tronditur nga:

– përleshja me thika dje në gjimnazin I. Rugova,

– vetëvrasja e nxënëses 16 vjeçare e të njëjtit gjimnaz,

-15-vjeçarja në Sarandë që tentoi të vetëvritej prej bullizmit në shkollë duke u hedhur nga ballkoni i apartamentit;

Këto janë ngjarjet e javës së fundit që janë bërë publike, të cilat pa dyshim nuk janë të vetmet.

Konflikti me pasoja të rënda për jetën e nxënësve flet me zë të lartë për mungesën e parandalimit të dhunës në shkollë, mungesën e shërbimit të psikologut, të oficerit të sigurisë, programeve edukative.

Sistemi arsimor ka dështuar, ndaj të rinjtë arrijnë deri te dhuna me mjete të ftohta. Programet sociale e edukative janë inekzistente, psikologët mungojnë, 70% e shkollave nuk ofrojnë shërbimin e oficerit të sigurisë, ndërsa oficerët e policisë shpesh ekzistojnë vetëm në letër.

Institucionet arsimore kanë dështuar në përmbushjen e misionit të tyre primar dhe janë shndërruar në garantuese të dhunës, bullizmit, konfliktualitetit, pasi politika prej vitesh e trajton dhunën mes të rinjve si episod të përkohshëm, dhe jo si lëngatë të sistemit e të shoqërisë.

Me gjithë zhurmën për kodin e etikës dhe masa ndëshkuese deri në përjashtimin e nxënësit që gjendet me celular në klasë- kjo ngjarje e të tjera të këtyre ditëve i rrëzojnë kokëposhtë deklaratat e bujshme të ministres së arsimit në ditët e para të shkollës, si dhe mburrjet e kryeministrit për rritjen e sigurisë në institucionet arsimore.

Fakti që 16-vjeçarë mbajnë thika me vete dhe i përdorin për të zgjidhur konfliktet është pasqyra më e kthjellët e një shoqërie që po e humbet toruan që ushqen tek ta modelin e të fortit, gjuhën e bullizmit e të dhunës.

Përleshja mes gjimnazistëve provon mungesën e plotë të përgjegjësisë institucionale dhe të vullnetit politik për të njohur dështimet dhe gjëmat e arsimit në kryqendrën e tij, Tiranë. Në nëntor të 2024, Martin Cani u nda nga jeta në rrethanë të ngjashme me të sotmet dhe askush nuk mbajti përgjegjësi, por fajit iu vesh rrjeteve sociale dhe Tik – Tok-ut

Kjo qeveri – që flet e premton reforma në arsim dhe modernizim, por nuk është në gjendje të sigurojë gjënë më bazike: jetën e adoleshentëve brenda dhe jashtë mureve të shkollës – mashtron dhe ka dështuar.

Dje ra sërish alarmi për rrezikun e lartë ku gjenden fëmijët tanë, dje ra sërish fasada e programit propagandues për 2025-2029.

Të fundit