Flash News

Ditari i Opozitës

"Pjesëmarrje masive", Vokshi tregon çfarë pritet nesër nga protesta e opozitës

"Pjesëmarrje masive", Vokshi tregon çfarë pritet

Në prag të protestës kombëtare të thirrur nga opozita, deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, deklaroi se protesta e së nesërmes pritet të ketë pjesëmarrje masive dhe do të jetë paqësore, duke theksuar se qytetarët do të dalin në shesh për të kundërshtuar keqqeverisjen.

E ftuar në SYRI TV, Vokshi bëri me dije se strukturat e Partisë Demokratike dhe deputetët janë angazhuar në takime intensive në të gjithë vendin, çka sipas saj ka rritur ndjeshëm interesin për tubimin.

“Prej ditësh unë dhe kolegët e mi deputetë, drejtuesit e Partisë Demokratike dhe të gjitha forumet drejtuese jemi në terren, në takime të pandërprera me strukturat dhe me qytetarë, anëtarë apo jo të Partisë Demokratike. Nga këto takime, interesi dhe dëshira për të marrë pjesë në protestën e nesërme është dukshëm më e madhe se në protestat e kaluara,” u shpreh Vokshi.

Deputetja theksoi se Partia Demokratike nuk ka asnjë skenar për përplasje.

“Dua ta them qartë se protesta e organizuar nga Partia Demokratike nuk do të jetë e dhunshme. Ne nuk kemi organizuar kurrë protesta të dhunshme dhe as nesër nuk do të ketë një gjë të tillë. Sigurisht që zemërimi qytetar ekziston, por protesta si organizim do të jetë paqësore,” deklaroi ajo.

Sipas Vokshit, qëllimi i protestës është të japë një mesazh të fortë politik për situatën në vend dhe të tregojë se qytetarët janë të vendosur për ndryshim.

“Pjesëmarrja masive është ajo që i jep kuptim kësaj proteste, sepse përmes numrave ne do t’i dëshmojmë jo vetëm shqiptarëve, por edhe ndërkombëtarëve, se qytetarët janë në këmbë, se nuk e pranojnë më këtë mënyrë qeverisjeje dhe refuzojnë politikat antishqiptare dhe antihumane të Edi Ramës,” tha deputetja e PD-së.

Të fundit