Flash News

Ditari i Opozitës

“Po bunkerizon PD-në”, anëtari i Këshllit Kombëtar paralajmëron: Basha po bëhet gati për një parti të re

“Po bunkerizon PD-në”, anëtari i Këshllit

Anëtari i Këshillit Kombëtar të PD-së Indrit Hoxha deklaroi se Kuvendi Kombëtar do të mblidhet dhe nuk është Lulzim Basha ai që mund ta ndalojë, por e anasjellta. “Kuvendi që mund të mos ta njohë Bashën,” u shpreh Hoxha.

I ftuar në A2 CNN, Hoxha hodhi poshtë akuzat e Bashës për institucione paralele, duke theksuar se Kuvendi i ka mbledhur votat e mjaftueshme për t’u thirrur dhe këtë nuk e ndalon dot askush.

“Janë mbledhur mbi 65% e firmave të delegatëve. Janë mbledhur firmat e mjaftueshme të delegatëve për të marrë vendime me votë në kuvend. Nuk është Basha që nuk njeh Kuvendin, por është kuvendi që mund të mos ta njohë Bashën. Si mund të jenë paralele kur nga 65% që kanë firmosur 25% i ka zgjedhur zoti Basha. Kërkesat kryesore janë ndryshimet statutore. Qëllimi është hapja e partisë demokratike dhe kthimi në forcë fituese. Kemi një parti me kryetar dhe pa ekip,” tha Hoxha.

Hoxha paralajmëron se Basha po përpiqet të krijojë një parti të re. “Nga informacionet që kam unë njerëz pranë Bashës po bëjnë gati dokumentat për të bërë partinë e re republika e re që t’i çojë në gjykatë. Unë nuk ia këshilloj këtë gjë se janë fraksionet brenda PD. Basha e ka kthyer si parti komuniste dhe kjo duhet të marrë fund brenda PD,” tha Hoxha.

Teksa thotë se çështja e Berishës për shpalljen ‘non-grata’ nuk duhet të ngatërrohet me Kuvendin Kombëtar, Hoxha jep edhe detaje se si do të mblidhet.

“Nuk ka kuvend antiamerikan. Janë dy çështje të ndryshme çështja e Berishës me SHBA është tjetër dhe Kuvendi Kombëtar është tjetër gjë. Ne marrim vendime për atë që ndodh brenda forcës sonë politike, sikurse është dhe vendimi për hapjen e garës për kreun e PD. ¼  e firmave të delegatëve thërrasin Kuvendin e Shqipërisë. Statuti janë ligje të brendshme të PD. Mënyra si e ka bunkerizuar Basha PD-në kërkon të bëjë dhe interpretimin që janë aneks kontrata që ia këshillojnë juristët se paaftësia e tyre dihet se nuk kemi fituar asnjë betejë ligjore me Ramën. Nuk e ka statuti që duhet të marrim leje në Këshill për të mbledhur Kuvendin. Neni 43 thotë që ¼  e firmave thërret Kuvendin jo më herët se 30 ditë dhe kjo e detyron kryetarin e PD të ngrejë komision për mbarëvajtjen e Kuvendit. Kuvendi në fillim do të jetë statutor do të propozohen ndryshimet në statut, mund të jetë 2-3 ditor se do kohën e vet. Çdo votë do të jetë transparente dhe do të hapë garën për lidershipin e PD,” u shpreh Hoxha.

Anëtari i Këshillit Kombëtar akuzon Bashën si antiamerikan që po tenton të bunkerizojë partinë duke përjashtuar çdo njeri të mundshëm brenda saj.

“Oerd Bylykbashi është një nga juristët  më të mirë të PD që Basha e ka larguar së fundmi pse është pro Berishës dhe këtë e ka bërë me çdo individ, çdo njeri që është i aftë e ka larguar dhe e ka bunkerizuar partinë. Partia nuk është Basha, por Kuvendi i PD. Në ka një njeri antiamerikan është Basha, madje demokratët i janë mirënjohës SHBA-së që bënë këtë veprim se zgjuan elektoratin e djathtë,” deklaroi Hoxha.

 

Të fundit