Flash News

Ditari i Opozitës

Presidenti/ Mediu kritik me opozitën: Duket sikur gjuajmë njëri-tjetrin, të kalojmë në veprime konkrete

Presidenti/ Mediu kritik me opozitën: Duket sikur gjuajmë

Kreu i PR-së, Fatmir Mediu ka folur për çështjen e Presidentit të ri. Ai i ka mëshuar sërish faktin se opozita duhet të gjejë dakordësi në mesin e saj. Sipas tij, është momenti që opozita të dalë me një kandidat të përbashkët.

“Opozita sot flet shumë dhe bën pak. Duket sikur gjuajmë njëri-tjetrin nga mbrapa gardhit, në vend që të dalim me një kandidaturë për qytetarët. Opozita duhet të thotë “o do të marrë pjesë në proces ose nuk do të marrë pjesë në proces” Nëse ne nuk kemi një marrëdhënie të drejtë me njëri-tjetrin, nuk mund të presim mirëkuptim nga ana tjetër”, tha Mediu për “A2 CNN”.

Gjithashtu theksoi se opozita duhet të kalojë në veprime konkrete dhe të vendosë për një kandidaturë.

“Ne jemi takuar me njëri-tjetrin, po, në kafe te Parlamenti. Por nëse flasim për marrëdhënie institucionale duhet të kemi takime institucionale. Nuk e di se çfarë na pengon të ulemi. Ka vetëm një letër të Alibeaj, me të cilën bie dakord, por duhet të kalojmë në veprime konkrete. Këtu dua të them te arritja në një kandidaturë”, tha Mediu.

Të fundit