Flash News

Ditari i Opozitës

Primaret në PD, Boçi: Dolën kandidatët e mbështetur nga anëtarësia

Primaret në PD, Boçi: Dolën kandidatët e mbështetur

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, ka folur për procesin e primareve që u mbajt dje nga PD.

Në një intervistë për Syri TV, Boçi theksoi se qëllimi i primareve ishte bashkimi i PD dhe nxjerrja e kandidatëve që marrin mbështetje më të madhe nga anëtarësia e PD.

“Ishte një proces që pati brenda shumë domethënie, domethënie që shpërndahen nga mesazhet që jep anëtarësia me pjesëmarrjen e saj, domethënie që japin qytetarët me interesin e lartë që kanë treguar për primaret e PD, domethënie që shpërndahet edhe nëpërmjet angazhimeve të atyre që kandiduan në këto primare dhe mënyra se si ata e interpretuan garën e tyre, ku në thelb ishte qëllimi i përbashkët i bashkimit të PD dhe qëllimi për të nxjerrë nga procesi ato kandidatura që marrin mbështetje më të madhe nga anëtarët e PD.

Ky proces vijoi i qetë dhe me pjesëmarrje shumë të madhe. Interesi vijoi edhe me procesin e numërimit i cili u bë i pandërprerë dhe në fund dha një rezultat ekujlibrues. Një pjesë e madhe e kandidatëve kanë realizuar atë që u konsiderua një lloj pragu virtual i numrit të votave që duhet të merrte një kandidat.

Procesi në fund nuk ka skualifikim por një klasifikim të kandidatëve dhe kriteri i votës së marrë nga anëtarët e PD do ndërthuret dhe do ballafaqohet edhe me kriteret e tjera që ka në konsideratë Kryesia e PD për të përfunduar listën e kandidatëve që do u ofrohen qytetarëve për zgjedhjet e 11 majit në ato afate kohore që ndryshe nga herët e tjera janë më të shpejta se zgjedhjet e kaluara politike dhe pak a shumë brenda 2 javëve të kemi të përcaktuar edhe listën për kandidatë për deputetë të PD-së”, deklaroi Boçi.

Të fundit