Flash News

Ditari i Opozitës

Primaret në PD/ Cilët janë pesë kandidatët që do votohen nga anëtarësia dhe simpatizantët për Bashkinë e Tiranës

Primaret në PD/ Cilët janë pesë kandidatët që do

Ndërsa na ndajnë edhe disa muaj nga zgjedhjet lokale të 14 majit 2023, Partia Demokratike do të përballet fillimisht me një garë të brendshme përmes nismës së primareve për të për të nxjerrë kandidatët më të votuar nga anëtarësia dhe simpatizantët.

Ndonëse zyrtarisht dy palët në PD janë ende në negociata për të dalë me një kandidat të përbashkët, grupimi i Berishës duket i vendosur për të vijuar me procesin e parashikuar në Statut për zgjedhjen e kandidatit përmes Primareve.

Spas Balkan Web, konkretisht për bashkinë e Tiranës do të jenë të paktën pesë kandidatë që do ti nënshtrohen vullnetit të anëtarësisë për të nxjerrë edhe më të votuarin për zgjedhjet e 14 majit.

Kandidati i parë që ka dalë tashmë edhe publikisht përmes intervistave televizive është anëtari i Këshillit Kombëtar, mjeku i njohur Ilir Alimehmeti. I pyetur nga Balkanweb nëse do të jetë kandidat, ai nuk e përjashtoi. “Nuk mund të konfirmoj diçka për të cilën ende nuk është hapur zyrtarisht aplikimi”, tha Alimehmeti.

Një tjetër emër i përfolur është edhe Belind Këlliçi, deputeti dhe ish kryetari i forumit Rinor të PD-së, i cili ishte ndër të parët që u rreshtua në krah të Berishës një vit më parë kur ky i fundit u përjashtua nga grupi parlamentar i PD-së.

I pyetur nga Balkanweb nëse e konfirmon kandidimin ai tha se “nuk mund të ta jap këtë konfirmim aktualisht pasi jam në konsulta dhe biseda me të gjithë faktorët në parti”.

Ndonëse nuk është lakuar shumë në media dhe ende nuk është artikuluar si Alimehmeti, Këlliçi është duke punuar ngushtësisht me strukturat e PD-së, ndërkohë që Veliajn e ka akuzuar për aferën e inceneratorëve.

Ndërkohë që deputeti Agron Shehaj, ndonëse është lakuar në qarqet mediatike si kandidat, konfirmoi për Balkanweb se nuk do të jetë pjesë e primareve.

Një tjetër emër i përfolur, që edhe vetë nuk e ka fshehur ambicien për të kandiduar nga Partia Demokratike në 14 maj në Tiranë, është ish deputeti Gerti Bogdani. Disi i tërhequr publikisht nga jeta partiake, prej kohësh Bogdani ka vënë theksin në rrjetet sociale të problematikave të ndryshme në Tiranë si rrugët me gropa, ajrin e ndotur apo edhe mungesën e pastrimit të qytetëtit. Bogdani, ndonëse e lexoi mesazhin, nuk iu përgjigj interesimit nëse do të jetë kandidat.

Përveç emrave të Alimehmetit, Këlliçit dhe Bogdanit, Balkanëeb ka mësuar se edhe ish deputeti i PD Fatbardh Kadilli dhe aktori Julian Deda e kanë shprehur dëshirën për të qenë pjesë e primareve me shpresën që do të zgjidhen nga anëtarësia. Kadilli nuk u përgjigjën nëse do të jenë kandidatë, ndërsa Deda tha se “unë mendoj se do të kandidoj, por zyrtarisht vendoset më vonë”.

 

 

Të fundit