Flash News

Ditari i Opozitës

Pse nuk kandidoni në Durrës përballë Ramës? Basha: Pres të më sfidojë në Tiranë

Pse nuk kandidoni në Durrës përballë Ramës? Basha: Pres

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha shprehet se është i gatshëm të sfidojë kryeministrin Edi Rama nëse ky i fundit kandidon në qarkun e Tiranës në zgjedhjet e 25 prillit.

Në një intervistë për tv Klan, Basha thotë se nuk zgjodhi Durrësin, siç veproi kryeministrin, por Tiranën, si qarkun që e ka votuar për herë të parë deputet.

Po ashtu, Basha hedh poshtë edhe mundësinë e një bashkëqeverisjeje me Edi Ramën nëse diktohet nga numrat apo rrethanat e caktuara.

Pjesë nga intervista:

Gazetarja: Ju e thoni me ngulje që e keni mundur kryeministrin Rama në zgjedhjet e vitit 2011 në Bashkinë e Tiranës. Po pse nuk e sfidoni edhe në këto zgjedhje duke kandiduar në qarkun e Durrësit, por keni zgjedhur të kandidoni në qarkun e Tiranës?

Lulzim Basha: Po pse nuk vjen ai të më sfidojë në qarkun e Tiranës meqë ka humbur zgjedhjet në qarkun e Tiranës? Unë zgjedh të kandidojë në qarkun ku jam votuar për herë të parë deputet dhe më kanë besuar detyrën e përfaqësimit në parlament, ku më kanë votuar kryetar të Bashkisë së Tiranës. Kjo është zgjedhja ime. Në qoftë se Edi Rama do të më sfidojë në qarkun ku ka humbur është i mirë se pritur këtu dhe kudo tjetër. Gjithsesi kjo është mbi të gjitha sfida që Shqipëria të fitojë dhe që Shqipëria të fitojë një gjë tashmë është e qartë për çdo shqiptar pavarësisht prej bindjeve politike, duhet të largohet Edi Rama dhe do të largohet në 25 Prill me votën e shqiptarëve.

Gazetarja: E përjashtoni një mundësi bashkëqeverisje me Edi Ramën nëse diktohet nga numrat apo rrethanat e caktuara?

Lulzim Basha: absolutisht e përjashtoj, për arsyen  e thjeshtë sepse pas 8 vite dështimesh nuk ke çfarë të presësh apo të kërkosh më nga i njëjti njeri, një njeri që ka pasur të gjitha pushtetet. Askush përveç Enver Hoxhës nuk ka pasur me shumë pushtete sesa  Edi Rama dhe ka dështuar, nuk ka mbajtur një premtim të vetëm. Shqipëria nuk mund të ecë përpara pa larguar Edi Ramën. Vetëm largimi i Edi Ramës i hap rrugë ndryshimit me anë të cilit fitojnë shqiptarët dhe fiton Shqipëria.

Të fundit