Flash News

Ditari i Opozitës

Qeveri teknike në shtator? Përgjigjet Berisha. Kryedemokrati: Vlerësoj qëndrimin e Metës për referendum

Qeveri teknike në shtator? Përgjigjet Berisha. Kryedemokrati:

Kryetari i PD-së, Sali Berisha ka folur për hapat e mëtejshme të opozitës. Sikurse ka deklaruar edhe kryetari i PL-së, Ilir Meta, edhe Berisha paralajmëroi një vjeshtë të mbushur me zhvillime.

Ai tha se opozita e bashkuar ka qëllim largimin e Edi Ramës. Sipas kryedemokratit, Kushtetuta ka rënë. Berisha vlerësoi qëndrimin e palëkundur të Metës për referendum.

“Siç mund ta verifikoni, prej kohësh jemi shprehur për referendumet. Jemi shprehur në disa takime. Dhe unë vlerësoj qëndrimin e Partisë së Lirisë për referendumet.

Kushtetuta ka humbur sensin e saj me marrjen e të gjitha pushteteve nga Edi Rama, de facto ajo ka rënë.

Sepse misioni i saj i një Kushtetute është ndarja e pushteteve. Nëse kushtetutshmëria është futur si shtyllë bazë e demokracisë, është futur për balancën e pushteteve. Ky është misioni që këtu ka humbur.

Përveç kësaj, janë bërë ndërhyrje në Kushtetutë të shumëllojta, që i kanë privuar asaj zhdërvjelltësinë. Së treti, Shqipëria është i vetmi vend ku qytetarët nuk mund të flasin me votën e tyre”, deklaroi Berisha.

I pyetur nëse ka diskutuar me Metën për qeveri teknike në shtator, sikurse ka deklaruar ish-presidenti, Berisha bëri me dije se nuk kanë folur rreth kësaj teme, duke lënë të nënkuptohet se do të vendoset hap pas hapi për vendimet që do të ndërmarrin.

“Ne nuk kemi diskutuar por Edi Rama duhet të largohet një ditë e më parë. Pas largimit të kësaj qeverie, detyra më themelore është përgatitja e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. A do ngarkohet një qeveri teknike apo një qeveri ad-hoc, do ta zgjedhin forcat politike”, u shpreh Berisha në konferencën e përjavshme për mediat.

 

Të fundit