Flash News

Ditari i Opozitës

“Rama i përzë shqiptarët si asnjë pushtues tjetër”, Berisha: Në datën 14 maj janë zgjedhjet e jetës sonë

“Rama i përzë shqiptarët si asnjë pushtues

Ish-kryeministri Sali Berisha foli për mediat nga Shkodra, ku ishte i pranishëm në ceremoninë përkujtimore të 4 martirëve që u vranë në 2 prill të vitit 1991.  Ai deklaroi se të gjitha të drejtat e qytetarëve të Shqipërisë janë në duart e Edi Ramës.

Berisha shtoi se zgjedhjet e 14 majit janë zgjedhjet e jetës sonë dhe shprehu me bindje se ajo ditë do të jetë triumfi i idealeve të lirisë së qytetarëve.

"Të gjitha liritë, të drejtat e qytetarëve të Shkodrës dhe të Shqipërisë, janë në duart e një njeriu, i cili kontrollon çdo pushtet. I cili vendos për çdo proces. I cili dhunon me makinerinë e tij të narkoshtetit çdo minutë, ço orë, çdo ditë liritë dhe të drejtat e qytetarëve, përfshi dhe votën e lirë."

"Edi Rama është po aq xhelat sot ndaj lirive të shqiptarëve, sa ishte i ati i tij që firmosi më 10 gusht të vitit 1988 varjen në litar të poetit kundërshtar, Havzi Nela."

"Ai sot nuk vendos trekëmbësh, por sot ai me makinerinë e tij shtetërore, me vjedhjen monstruoze që iu bën shqiptarëve, me pasigurinë e plotë që ka krijuar me lidhjet e tij me krimin, i përzë ata nga vendi i tyre sa asnjë pushtues tjetër në historinë tonë kombëtare."

"Ky monizëm sot bazohet në shkelmimin, rrëmbimin, vjedhjen e votës për të cilën ranë për t’u bërë të pavdekshëm martirët e 2 prillit. Bazohet në përçudnimin e një propagande që shëmbëllen njësoj me atë të kohërave të zeza të diktaturës. Bazohet në varfërimin, në shndërrimin e pasurive publike në një mallkim për qytetarët shqiptarë, dhe jo bekim për ta, siç duhet të jenë."

"Ne nderojmë martirët e 2 prillit në prag të zgjedhjeve të 14 majit. Njësoj si zgjedhjet e 22 marsit, zgjedhjet e 14 majit janë zgjedhjet e jetës sonë. Janë zgjedhje në të cilat përballen monizmi i egër i bazuar në krimin, vjedhjen dhe drogën, me idealet e lirisë së shqiptarëve, me vullnetin e tyre të hekurt për të rivendosur pluralizmin, për të rikthyer në Shqipëri demokracinë. Shkodra mbeti gjithnjë besnike e idealeve të veta të lirisë."

"Mbeti bastion i pamposhtur i demokracisë dhe vlerave të saj. Kam bindjen më të madhe se 14 maj do të jetë përsëri triumfi i idealeve të lirisë të qytetarëve shkodranë. Kam bindjen dhe ftoj shqiptarët kudo që janë të frymëzohen nga sakrifica sublime e martirëve të 2 prillit, nga qëndresa e qytetarëve të Shkodrës, nga besnikëria e tyre e palëkundur në asnjë rrethanë. Ndaj vlerave dhe idealeve të lirisë të qytetarëve."

 

Të fundit