Flash News

Ditari i Opozitës

"Ramën e thërret McGonigali"/ Berisha: I them Prodës dhe ushtarëve të tij se për çdo votë të prekur do keni një vit burg

"Ramën e thërret McGonigali"/ Berisha: I them Prodës

Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha gjatë një takimi në Belsh akuzoi Kryeministrin Edi Rama se është kryeministri që ka kryer krim dhe premtoi se pas 11 majit do marrë përgjigjen që meriton. Berisha gjithashtu u premtoi banorëve të Belshi se banditët që guxojnë t’u bëjnë shqetësimin më të vogël, do shpallen grupe terroriste me 12 maj dhe do trajtohen si të tillë. Më tej Lideri i opozitës tha se "I them Prodës dhe ushtarëve të tij se për çdo votë të prekur do keni një vit burg".

"Miqtë e mi, këto rreze dielli që sot na shndrisin, por edhe na djegin pak, do të jenë burim energjie e pashtershme. Çdo çati nga jugu në veri, në Dumre dhe kudo, do të ketë panelet fotovoltaike, të cilat do i vendosin me financimin e bankave dhe qeverisë dhe pas tre viteve, familjet do kenë energjinë gratis gjithnjë në vazhdim. Kombi do sillet në moshën e rinisë, do bëjmë çdo gjë që këta të rinj të shkollohen, hiqet çdo mesatare.
Të punësohen, qeveria do paguajë sigurimet shoqërore për ta. Dhe për çdo të ri të punësuar do ketë grante, kredi të buta dhe një çati për çdo çift me një grant prej 30 mijë eurosh, të cilin në rast se bëhet me tre fëmijë, nuk do e paguajë kurrë kredinë e marrë. Ky është miq programi ynë.

Dëgjoni krahun tjetër. Ka qeverisur 12 vite dhe del me maskë në fytyrë. Vë një maskë dhe kalon si hokatar nga takimi në takim, jo po çyrykët, jo po budallenjtë, jo po këneta, jo po hardhucat, jo po zhapinjtë dhe kujton se me banalitete i bën shqiptarët të harrojnë se çdo qeveritar duhet të japë llogari para tyre për ato që ka bërë. Ka hequr dorë nga premtimet, por prapë zakonin e tij të vjetër nuk e harron, nuk mund të mos gënjejë. Mirëpo kësaj here për gënjeshtra merr copëza nga programi ynë. Po kush ia beson atij? Askush. Edi Rama është njeriu më i pabesueshëm. Miq, së fundmi dua t’u jap edhe një lajm tjetër. Atë e thërret McGonigali. Siç nuk ndahet tymi nga bloza, nuk ndahet Rama nga McGonigali. McGonigali tani shtron para autoriteteve gjyqësore amerikane se unë vërtet u dënova për paratë që mora, por paratë m’i ka dhënë Edi Rama.

Kjo do të thotë se para gjithë botës është korruptues, është kryeministër që ka kryer krim dhe u garantoj se pas 11 majit do marrë përgjigjen që meriton. Dhe ai është vetëm fillimi se proceset e tij nuk kanë fund. Së fundmi, edhe dy fjalë. Po përdor banda. Ua thashë edhe në Librazhd, e them edhe këtu. Banditët që guxojnë t’u bëjnë ju shqetësimin më të vogël, do shpallen grupe terroriste me 12 maj dhe do trajtohen si të tillë. Bashkë me Edi Ramën, bashkë me Ballën, bashkë me ministrat dhe kriminelët e tjerë në qeveri. Paralajmëron Prodën e Matriksit, njëfarë komisar në Përrenjas, Klodian Dani dhe disa ushtarë të tjerë të tij, se për çdo votë do keni një vit burg.

Se do pësoni atë që nuk ua pret mendja. Mos ndërhyni në vullnetin e qytetarëve. Asgjë nuk e mposht vullnetin tuaj. Asgjë nuk na ndalon ne në marshin tonë drejt fitores. 11 Maji është ndryshimi i madh. Është dita e ndryshimit. Është radha jonë. Është radha e Belshit madhështor, Cërrikut madhështor, Elbasanit madhështor, Shqipërisë madhështore. Rrofshi ju, rroftë Belshi, rroftë Cërriku, rroftë Elbasani, rroftë Shqipëria. Fitore, fitore, fitore," tha Berisha.

Të fundit