Flash News

Ditari i Opozitës

Raportet me ish-agjentin e FBI, Meta: Rama i ka përdorur lidhjet me SHBA për afera, i detyruar të dorëhiqet

Raportet me ish-agjentin e FBI, Meta: Rama i ka përdorur lidhjet me SHBA

Kryetari i PL-së, Ilir Meta ka reaguar për skandalin e fundit, ku dyshohet se kryeministri Edi Rama i ka paguar 225 mijë dollar ish-agjentit të FBI, Charles McGonigal për të dëmtuar opozitën në Shqipëri.

Meta thotë se Edi Rama është përpjekur vazhdimisht të dëmtojë opozitën, duke përdorur marrëdhëniet me zyrtarë të lartë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Më tej theksoi se është e qartë se për Ramën, marrëdhëniet me SHBA-të, nuk kanë qenë kurrë dhe nuk janë marrëdhënie vlerash, por marrëdhënie aferash.

“Edi Rama në mënyrë të drejtpërdrejtë, së bashku me bashkëpunëtorët e tij janë evidentuar qartë si pjesëtarë në akte korruptive dhe ndikimi të paligjshëm në “Çështjen McGonigal”.

Edi Rama nëpërmjet manipulimit dhe korruptimit është përpjekur që të përdorë marrëdhëniet dhe komunikimin me zyrtarë të lartë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të goditur opozitën, për të zhbërë shtetin ligjor dhe për të siguruar fitime korruptive për veten dhe bashkëpunëtorët e tij.

Edi Rama është i provuar botërisht se me paratë e korrupsionit ka financuar trafikun e influencës dhe ka shfrytëzuar postin e tij për të mbajtur në mënyrë të paligjshme dhe mafioze pushtetin.

Veprimtaria e tij  për të manipuluar dhe përdorur një zyrtar të lartë të SHBA ka patur një qëllim të vetëm që përveç mbajtjes së pushtetit të garantojë investime nëpërmjet parave të pista ruse duke i futur ato si atavizma në ekonominë shqiptare dhe duke e vendosur Shqipërinë, jo në frontin e luftës kundër korrupsionit dhe trafiqeve, por në funksion të mbështetjes dhe përdorimit të tyre prej Edi Ramës.

Fshehja e takimeve me Edi Ramën prej Mc Gonigal, si dhe përfshirja publike e bashkëpunëtorit të tij dhe ortakut të tij Rosini edhe në media kundër opozitës dhe Zotit Sali Berisha në momentin e djegjes së mandateve janë prova dërmuese se Edi Rama nuk përfaqëson asgjë tjetër veçse një mafioz të ulur në zyrën e Kryeministrit.

Është e qartë se për Edi Ramën marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk kanë qenë kurrë dhe nuk janë marrëdhënie vlerash, por marrëdhënie aferash”, tha Meta.

Ky i fundit i bëri thirrje drejtësisë që të hetojë këtë skandal. Ndërkohë që nënvizoi se dorëheqja e Edi Ramës është një akt i nevojshëm.

“Dorëheqja e Edi Ramës është një veprim i detyruar pasi niveli i inkriminimit, kompromentimit dhe korruptimit të postit të kryeministrit është skandaloz dhe i paimagjinueshëm. Drejtësia shqiptare duhet të ishte ngritur në këmbë me kohë përballë fakteve të tilla kaq tronditëse që implikojnë Kryeministrin në mënyrë të drejtpërdrejtë.

Drejtësia shqiptare duhet të komunikojë intensivisht dhe ngushtësisht me drejtësinë amerikane për të zbardhur deri në fund të gjithë këtë aferë shtetërore që tashmë kalon edhe kufijtë e Shqipërisë dhe të hetojë e ta çojë Kryeministrin përpara Drejtësisë”, theksoi Meta.

Të fundit