Flash News

Ditari i Opozitës

Raporti për 11 Majin/ Tabaku: U vërtetua se pushteti zhduku garën

Raporti për 11 Majin/ Tabaku: U vërtetua se pushteti zhduku garën

Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku ka reaguar në lidhje me raportin e OSBE/ ODIHR për zgjedhjet e 11 majit 2025, të cilat i ka certifikuar si të pabarabarta, duke vërtetuar akuzat e opozitës, se bëhej fjalë për farsë zgjedhore.

Në postimin e saj në Facebook, Tabaku thekson se ky raport është ‘në të vërtetë është provë për një sistem që ka shndërruar zgjedhjet në administrim pushteti, duke zhdukur garën dhe ndershërinë e garës’.

‘Shqipëria nuk mund të ecë drejt Europës me frikën mbi kurriz dhe me të vërtetën që nuk dëgjohet’, shkruan Tabaku.

Postimi

Gjashtë muaj nga data e zgjedhjeve raporti i OSBE/ODIHR rikonfirmon qartë: Shqipëria nuk pati zgjedhje me kushte të barabarta.

Dhe kjo, fatkeqësisht nuk është më një debat teknik. Në të vërtetë është provë për një sistem që ka shndërruar zgjedhjet në administrim pushteti, duke zhdukur garën dhe ndershërinë e garës.

Në vend të garës së lirë, kemi një shtet-parti që përdor administratën, buxhetin dhe ekranet publike për fushatë.

Në vend të medias së lirë, kemi propagandë qeveritare.

Në vend të të drejtave të njeriut, kemi presion, frikë dhe heshtje.

Raporti flet për “përdorim të gjerë të burimeve shtetërore”, për “mospërputhje mes shtetit dhe partisë”, për “mungesë transparence në financim”, dhe për “mjedis mediatik të kontrolluar”.

Të gjitha këto kanë një autor: një qeveri që ka humbur frikën nga ligji dhe respektin për qytetarin.

Si Kryetare e Komisionit për Median dhe të Drejtat e Njeriut, e shoh të domosdoshme që ky raport të mos mbyllet në sirtarët e qeverisë. Ky nuk mund të jetë standarti i Shqipërisë që kërkon BE-në.

Na duhet një debat publik mbi raportin e ODIHR sikundër duhet një debat i sinqertë publik mbi integrimin. Pasi, fatkeqësisht integrimi është mbyllur në kullën e kryeministrisë ndërsa parlamenti dhe shqiptarët janë në errësirë.

Shqipëria nuk mund të ecë drejt Europës me frikën mbi kurriz dhe me të vërtetën që nuk dëgjohet.

Demokracia është e fortë vetëm kur qytetari është i lirë. Dhe qytetari është i lirë vetëm kur fjala, vota dhe dinjiteti i tij janë të mbrojtura.

Të fundit