Flash News

Ditari i Opozitës

"Rindërtimi u kthye në minierë floriri për qeverinë", Tabaku: 6 vite pas tërmetit, shqiptarët ende pa strehë

"Rindërtimi u kthye në minierë floriri për

Deputetja e PD, Jorida Tabaku ka reaguar në rrjetet sociale lidhur me 6-vjeotrin e tërmetit tragjik të vitit 2019, duke akuzuar qeverinë se e shndërroi procesin e rindërtimit në një mundësi abuzimi dhe pasurimi.

Tabaku shkruan se pavarësisht mobilizimit ndërkombëtar dhe fondeve të mëdha të akorduara, mijëra familje vijojnë të jenë pa banesa të përfunduara, ndërsa kostoja e projektit ka arritur në mbi 1.3 miliardë euro.

Sipas saj, qeveria zgjodhi tenderime pa fonde dhe financime të shtrenjta për të shmangur transparencën e fondeve të BE-së, duke e lënë barrën mbi qytetarët dhe duke shtuar borxhin publik.

Statusi i plotë: 

Gjashtë vite më parë, vendi ynë u godit nga tragjedia e tërmetit që la pa strehë qindra familje dhe krijoi një traumë kolektive të pashlyeshme për të gjithë shqiptarët.
Ajo që duhej të ishte një periudhë e përbashkët rimëkëmbjeje u kthye, për fat të keq, në një oportunitet abuzimi për qeverinë socialiste.
Ndërsa komuniteti ndërkombëtar u mobilizua me grante dhe kredi të buta, qeveria premtoi zgjidhje të shpejta dhe rindërtim brenda pak vitesh. Sot, bilanci është tronditës: kosto të fryra mbi 1.3 miliardë euro dhe mijëra familje ende pa një banesë të përfunduar.
Pse ndodhi kjo?
Sepse qeveria zgjodhi të thyente rregullin bazë të financave publike: u hodh në tenderime pa fonde në buxhet, duke fshehur kostot reale dhe duke i rritur ato artificialisht ditë pas dite. Rezultati ishte absurd:
- Një shkollë e ndërtuar me fondet e BE ka kushtuar rreth 600 mijë euro,
- Ndërsa e njëjta shkollë, e ndërtuar me buxhetin e shtetit, kushtonte 2.2 mln euro sipas Bashkisë Tiranë.
Rindërtimi u kthye në një minierë floriri për qeverinë, ndërsa familjet e prekura u lanë peng i premtimeve të pambajtura.
Për muaj me radhë, qeveria mohoi krizën në financat publike. Derisa u detyrua të pranojë atë që shqiptarët e ndjenë në përditshmëri: 1.3 miliardë euro barrë në buxhet për ndërtime ende të papërfunduara.
Vitet kalojnë, kostoja rritet, dhe mijëra njerëz mbeten ende të pastrehë — ndërsa premtimi i rindërtimit vazhdon të përdoret si refren elektoral i dështimit.
Përse qeveria preferoi të paguante me 1.3 miliardë euro taksat e shqiptarëve dhe jo me fondet e BE?
Për një arsye të thjeshtë: fondet e BE janë më ekonomike, më transparente dhe nuk lejojnë abuzime. Qeveria zgjodhi eurobondet më të shtrenjta, duke i ngarkuar shqiptarët me interesa të larta dhe borxh afatgjatë.
Gjashtë vite pas tragjedisë, e vërteta është e hidhur:
Shqiptarët janë edhe në borxh, edhe ende pa strehë. Tërmeti u kthye në një mundësi për të pasuruar pakicën në pushtet, ndërsa shumica e qytetarëve paguan faturën.

Të fundit