Flash News

Ditari i Opozitës

"Rrezik për banorët"/ Zhupa kërkon interpelancë me ministrin Gonxhe për projektin TID në Durrës

"Rrezik për banorët"/ Zhupa kërkon interpelancë me

Deputetja demokrate dhe kryetare e Komisionit për Kulturën dhe Turizmin, Ina Zhupa, ka kërkuar një interpelancë me ministrin e Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Gonxhe, lidhur me projektin “Restaurimi dhe rikualifikimi urban i zonës perspektive TID në Durrës”.

Projekti, i financuar nga qeveria shqiptare, Bashkia Durrës dhe Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF), është prezantuar si një nismë për rijetëzimin turistik të qytetit, por sipas Zhupës, ai ngre shqetësime serioze për pasojat që sjell ndaj komunitetit lokal dhe trashëgimisë kulturore.

Zhupa ka theksuar se mbi 70 familje që jetojnë në zonën ku parashikohet ndërhyrja janë përballur me kërkesa për largim nga banesat e tyre, përmes një procesi shpronësimi. Ajo ka sqaruar se këta banorë janë pronarë të ligjshëm të pasurive të tyre dhe kanë të drejtën të mbrohen nga ligji.

Ajo ka kërkuar që përmes kësaj interpelance të ketë përgjigje publike për një sërë pikëpyetjesh që lidhen me aspektet kushtetuese, ligjore, sociale dhe ekonomike të projektit.

Postimi i plotë i Zhupës

Në cilësinë e kryetares së komisionit të Kulturës dhe Turizmit kam kërkuar interpelancë me ministrin Blendi Gonxhe mbi projektin “Restaurimi dhe rikualifikimi urban i zonës perspektive TID në Durrës”, i financuar nga qeveria shqiptare, Bashkia e Durrësit dhe Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF)

Ky projekt, ndonëse prezantohet si iniciativë për “rijetëzim turistik”, ka ngritur shqetësime serioze në lidhje me ndikimin e tij mbi banorët aktualë të zonës në Durrës, trashëgiminë kulturore, si dhe mënyrën e zhvillimit të tij dhe inpaktin real në turizëm.

Mbi 70 familjeve që jetojnë në zonën ku parashikohet zbatimi i projektit u është kërkuar të largohen, duke hyrë në një proces shpronësimi, me qëllim lirimin e hapësirave për ndërhyrjet që parashikon projekti TID. Këta banorë janë pronarë të ligjshëm, që kanë trashëguar apo përfituar pasuritë në përputhje me legjislacionin shqiptar.

Interpelancën e kam kërkuar për të marr përgjigje publike për një sërë pikëpyetjesh të natyrës kushtetuese, ligjore, sociale dhe ekonomike, të cilat lidhen me:
1- Transparencën dhe konsultimin me komunitetin përfitues dhe të prekur;
2- Raportin e projektit me Planin e Përgjithshëm Vendor dhe me legjislacionin për trashëgiminë kulturore;
3- Vlerësimin real të ndikimit në turizëm në raport me dëmtimin e strukturës historike dhe sociale të qytetit;
4- Procesin e shpronësimeve dhe dëmshpërblimeve për banorët, si dhe garancitë për të drejtat e tyre pronësore.

Prioriteti im dhe i Partisë Demokratike do jetë gjithmonë mbrojtja e interesit të qytetarëve, lartësimi i trashëgimisë kulturore dhe një turizëm i qëndrueshëm që respekton historinë dhe banorët lokal.

Të fundit