Flash News

Ditari i Opozitës

"Rrezik për sistemin bankar", Këlliçi publikon dokumentet: 'Jet Bank' e lidhur me skemë mashtrimi

"Rrezik për sistemin bankar", Këlliçi publikon

Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi ka ngritur akuza ndaj bankës së parë online të licencuar në Shqipëri, Jet Bank. Përmes dokumenteve të publikuara në rrjetet sociale, Këlliçi pretendon se drejtues të kësaj banke kanë lidhje me një skemë mashtrimi financiar me vlerë 200 milionë euro, për të cilën shtetasi izraelit Gal Barak është dënuar në Austri.

Në qendër të denoncimit qëndron shtetasi Oliver Hemmer. Sipas dokumenteve të Këlliçit, Hemmer është drejtor i kompanisë qipriote Constador LTD, e cila zotëron 71% të aksioneve të Jet Bank.

Njëkohësisht, pretendohet se Hemmer ka shërbyer si Drejtor Menaxhues i GRF Europe OU, një kompani e lidhur me platformën 4XFX, e cila ishte në pronësi të Gal Barak.

 Ai e cilëson këtë situatë si një kërcënim serioz për sistemin bankar dhe ngre pikëpyetje mbi standardet e integritetit të procesit të licencimit.

Postimi i plotë i Këlliçit

Skandali i radhës me Jet Bank dhe Bankën e Shqipërisë!

Sot po publikoj dokumente zyrtare të Ministrisë së Brendshme Gjermane, që hedhin dritë mbi kërcënimin serioz të sistemit tonë bankar nga licensimi i JET BANK, ku një zinxhir marrëdhëniesh mes disa individësh nuk mund të trajtohen më si rastësi administrative.

Sipas tyre, shtetasi Oliver Hemmer është Drejtori Menaxhues i kompanisë GRF Europe OU, e cila operonte për llogari të kompanisë 4XFX, në pronësi të shtetasit Izraelit, Gal Barak.

Ky i fundit i dënuar me 4 vite burgim në Austri, pasi ka ngritur një skemë mashtrimi me Call Centera me një dëm të vlerësuar rreth 200 milionë euro në disa shtete europiane si Angli, Austri, Gjermani, Spanjë, etj.

Në një tjetër dokument shihet qartë se Oliver Hemmer është edhe drejtori i kompanisë së regjistruar në Qipro, Constador LTD. Pikërisht kjo kompani është pronare me 71% e JET BANK, të parës bankë online në Shqipëri.

Në këtë pikë, çështja nuk është më thjeshtë ligjore, por sistemike. Banka e Shqipërisë ka licensuar këta individë për të hapur bankën e parë online në vend, duke ngritur pikëpyetje serioze mbi standardet e verifikimit dhe integritetin e procesit.

Por, më shumë se kaq, pyetja që shtrohet sot nuk është nëse ka pasur shkelje ligjore, por përtej kësaj, a po lejojmë që Shqipëria të evoluojë nga një bazë operative e call center-ave që zhvasin qytetarët evropianë, në një nyje të pastrimit të këtyre parave?!

Nëse kjo vijë alarmi kalon pa reagim, ky skandal do të përbënte një rrezik të drejtpërdrejtë për besueshmërinë dhe qëndrueshmërinë e vetë sistemit bankar shqiptar.

Të fundit