Flash News

Ditari i Opozitës

Rritja e tarifave nga Kadastra, PD: Goditje e rëndë për xhepat e shqiptarëve! Qeveria të tërheqë vendimin

Rritja e tarifave nga Kadastra, PD: Goditje e rëndë për xhepat e

Deputeti i zgjedhur i PD, Bledi Himçi ka deklaruar këtë të martë se rritja e tarifave nga Kadastra me vendim qeverie, është e paprecedentë dhe një tjetër goditje e rëndë për xhepat e shqiptarëve.

Në një deklaratë për mediat nga selia blu, Himçi shprehet se Kadastra në vend që të përmirësojë shërbimet, qeveria rrit çmimin.

Sipas PD, e gjitha kjo bëhet pa asnjë transparencë, pa studim ekonomik, pa një analizë financiare të kosto përfitimit, dhe në kundërshtim me parimet e shtetit ligjor.

Partia Demokratike i bën thirrje qeverisë të tërheqë menjëherë këtë vendim arbitrar, të anulojë rritjen e tarifave dhe të kthejë paratë e mbledhura padrejtësisht.

 Deklarata e Himçit:

Të nderuar përfaqësues të mediave,

Qeveria e Edi Ramës ka vendosur një tjetër goditje të rëndë për xhepat e shqiptarëve, duke rritur në mënyrë të paprecedentë tarifat e shërbimeve të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës.

Nga një analizë e detajuar e vendimit qeveritar, rezulton se tarifat janë rritur në masën 70–80%, për pothuajse çdo shërbim që ofron ASHK, duke prekur:

• Certifikatat e pronësisë;

• Regjistrimet e kontratave të shitjes, dhurimit apo shkëmbimit;

• Regjistrimin e lejeve të legalizimit;

Kjo rritje nuk është thjesht një shifër mbi letër. Ajo është një barrë e papërballueshme për:

• Bizneset që kërkojnë shërbime hipotekimi;

• Individët që blejnë apo shesin pasuri të paluajtshme;

• Avokatët dhe noterët që pajisen me kopje dokumentacioni;

• Mbi të gjitha, banorët e fshatit, të cilët detyrohen të paguajnë tarifa të fryra për çdo parcelë veçmas, duke shumëfishuar kostot për një familje bujqësore.

Në vend që të përmirësojë shërbimin, qeveria rrit çmimin. Në vend që të afrojë zyrat e kadastrës në zonat rurale, qeveria i detyron qytetarët të udhëtojnë, të presin me muaj, e të përballen me zvarritje e burokraci të pafund. Në vend që të analizojë performancën e specialistëve të ASHK-së dhe të ndëshkojë paaftësinë e militantizmin, qeveria ka zgjedhur të grabisë qytetarët përmes tarifave të rritura.

E gjitha kjo bëhet pa asnjë transparencë, pa studim ekonomik, pa një analizë financiare të kosto përfitimit, dhe në kundërshtim me parimet e shtetit ligjor.

Partia Demokratike i bën thirrje qeverisë të tërheqë menjëherë këtë vendim arbitrar, të anulojë rritjen e tarifave dhe të kthejë paratë e mbledhura padrejtësisht.

Ne jemi në krah të çdo qytetari dhe veçanërisht të banorëve të fshatit, që sot po përballen me një barrë të re financiare vetëm sepse duan të regjistrojnë pronën e tyre.

Qytetarë, kjo nuk është thjesht çështje tarifash kjo është një çështje dinjiteti, ligji dhe drejtësie.

Ne nuk do të lejojmë që prona e shqiptarëve të kthehet në burim fitimi për një administratë të paaftë e të kapur nga klientelizmi.

Të fundit