Flash News

E-TJERA

Shqiptarët, ‘zotat’ e trafikut të drogës në Britani: Si pastrohen të ardhurat kriminale në Shqipëri

Shqiptarët, ‘zotat’ e trafikut të drogës në

Bandat shqiptare tashmë janë kthyer në kryefjalën e mediave angleze si të përfshirë në trafikun e drogës dhe ‘Zot’ i fermave të kanabisit.

GB News raporton se bandat kriminale shqiptare janë gjithnjë e më shumë në rritje dhe paratë e fituara nga trafikimi i kanabisit, i dërgojnë në Shqipëri të kamufluara në forma të ndryshme. Të ardhurat kriminale të fituara nga trafikimi i narkotikëve në Britani, pastrohen në Shqipëri në biznese të ndryshme, mes tyre investimi në automjete apo para ‘cash’.

Në konfiskimet e fundit, 300,000 paund u gjetën në bagazhe në një aeroport në Mbretërinë e Bashkuar, me destinacion Tiranën. Në një tjetër rast, oficerët britanikë sekuestruan në kufi 500,000 £ të fshehura në një furgon në një port.

Grupet shqiptare të krimit tani kontrollojnë shumicën e fermave të kanabisit në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar. Vitet e fundit, shqiptarët kanë marrë përsipër një pjesë të madhe të tregtisë së kanabisit nga grupet kriminale vietnameze.

Pjesa më e madhe e aktivitetit kriminal që përfshin fermat e kanabisit është e përqendruar në zonat më veriore. Por pothuajse në çdo pjesë të vendit, shqiptarët janë grupi dominues i përfshirë në kultivimin e kanabisit.

Në jug të vendit, grupet kriminale shqiptare ende kontrollojnë pjesën më të madhe të tregtisë së kokainës. Tregtia e kanabisit është kryesisht e pavarur mes kriminelëve shqiptarë, me më pak kontroll nga bosët e krimit në vendin e tyre.

Në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar, së fundmi ka pasur një sërë arrestimesh të shqiptarëve të dyshuar për përfshirje në kontrabandën e njerëzve përmes kanaleve.

Shumë shqiptarë që mbërrijnë në Britaninë e Madhe me varka të vogla janë nën instruksionin e bandave kriminale dhe një pjesë e madhe përfundojnë duke punuar për ato rrjete kriminale.

Gjithnjë e më shumë, shumë shqiptarë që hyjnë në sistemin e azilit në Mbretërinë e Bashkuar dhe më pas strehohen në hotele, zhduken brenda disa ditësh, të kapur nga kontaktet kriminale.

Shifrat e fundit zbuluan se rreth 60% e atyre që mbërrinin me varka të vogla kishin ardhur nga Shqipëria.

Shumica dërrmuese e operacioneve të kontrabandës së njerëzve në kontinentin evropian janë ende të kontrolluara kryesisht nga grupet e krimit kurd, por ata po punojnë gjithnjë e më afër me kriminelët e organizuar shqiptarë.

Shumë prej grupeve kriminale shqiptare kanë përdorur rrjetet sociale për të reklamuar personat e interesuar për të bërë kalimin drejt Britanisë së Madhe përmes Kanalit. Ata organizojnë kalimin në Francën veriperëndimore, ku më pas u dorëzohen bandave kurde.

Të fundit