Flash News

Ditari i Opozitës

Skandal në Universitetin e Elbasanit, PD: Regjistrime fiktive për të mbajtur degët hapur

Skandal në Universitetin e Elbasanit, PD: Regjistrime fiktive për

Partia Demokratike ka ngritur alarmin për një skandal të mundshëm në Universitetin e Elbasanit, ku thuhet se janë zbuluar raste të regjistrimeve fiktive të studentëve për të mbajtur degët hapur.

Përmes një deklarate publike, deputetja demokrate Ina Zhupa thekson se disa prej personave të regjistruar si studentë të vitit të parë janë gra në moshë mbi 50 vjeç, të cilat nuk kishin asnjë informacion mbi degën ku figuronin të regjistruara dhe nuk ishin në dijeni për arsyen e përfshirjes së tyre në listat e universitetit.

Deputetja demokrate shprehet se ky fenomen është sipas saj tregues i degradimit të arsimit të lartë në vend dhe i mungesës së besimit të të rinjve te sistemi arsimor.

Zhupa kërkon transparencë të plotë mbi rastet e përmendura, përfshirë dokumentacionin e aplikimit, regjistrimit dhe pjesëmarrjen në mësim.

Reagimi i plotë i Ina Zhupës:

Në hijen e një skandali në Universitetin e Elbasanit! Rregjistrime fiktive për të mbajtur degët hapur.

Nga raportimet mediatike, disa nga të regjistruarit si “studentë të vitit të parë” janë gra në moshë 53 vjeç e lart, të cilat nuk dinin as emrin e degës ku “studionin” dhe nuk kishin asnjë ide pse ishin regjistruar. Mungesa e artikulimit dhe informacionit me ngjan qartësisht se kemi të bëjmë me një abuzim sistemik dhe jo një rastësi.

Në gjykimin tim ka vend për të investiguar nëse jemi para një skandali në Universitetin e Elbasanit. Duket si një skemë me studentë fiktivë që janë regjistruar për të mbajtur programet studimore të hapura dhe për të siguruar orë pune për pedagogët.

E gjitha kjo, pavarësisht nëse janë fiktive apo reale, janë një simptomë e degradimit të arsimit të lartë në Shqipëri. Dhe është një përpjekje e dështuar për të mbuluar plagën e madhe të shpopullimit dhe braktisjes së arsimit nga të rinjtë.

Nuk ka më studentë të vërtetë, sepse nuk ka më besim te sistemi. Sepse nuk ka politika reale që e mbajnë rininë këtu.

Kërkoj transparencë të plotë mbi këto raste, që nga dokumentacioni, aplikimi, regjistrimi dhe pjesëmarrja në procesin mësimor. A janë studente reale?!

Duhet një shkundje e sistemit arsimor dhe reforma të thella, ku paratë publike të investohen për rininë dhe cilësinë e arsimit, jo për mbajtjen artificiale në këmbë të institucioneve.

Të fundit