Flash News

Ditari i Opozitës

Spahia nxjerr videon: Qytetarët dhunohen nga autoritetet malazeze, shteti hesht

Spahia nxjerr videon: Qytetarët dhunohen nga autoritetet malazeze, shteti

Kryebashkiaku i Shkodrës Bardh Spahia ka publikuar në faqen e tij në Facebook një video ku duket se si policia kufitare malazeze dhunon një qytetar shqiptar.

Spahia shkruan se autoritetet shqiptare nuk kanë folur asnjë fjalë mbi ngjarjen, ndërsa shton se kryeministri Rama vijon të propagandojë ‘Ballkanin e Hapur’.

Kryebashkiaku i Shkodrës thotë se shteti shqiptar duhet të reagojë dhe të mos i trajtojë incidente dhe raste të tilla me indeiferencë.

“Asnjë fjalë nga autoritetet shqiptare për dhunën në kufirin mes Shqipërisë dhe Malit të Zi, në doganën e Muriqanit ndaj shtetasve shqiptarë.

E ndërsa heshtja mbetet kryefjalë e palës shqiptare dhe asaj malazeze, një tjetër video ka dalë në rrjetet sociale ku dëshmohet me zë dhe figurë se fenomeni nuk është i izoluar, por një rast i përsëritur.

Dhuna mbetet një akt i papranueshëm, prandaj e dënoj me forcë këtë sjellje të individëve që mbajnë uniformën e shtetit dhe sillen në mënyrë brutale me qytetarët, kur do të duhej të dëshmohej krejt e kundërta. Shteti shqiptar nuk ka asnjë arsye të mos reagojë, e aq më pak t’i trajtojë këto incidente me indiferentizëm sikur të mos ketë ndodhur asgjë. Në njërin krah kryeministri propagandon nismën e “Ballkanit të Hapur”, e në krahun tjetër ai dhe institucionet e varësisë mbyllin sy e veshë përballë shfaqjeve të tilla që nuk i shërbejnë aspak raporteve të fqinjësisë së mire”, shkruan Spahia.

Të fundit