Flash News

Ditari i Opozitës

"SPAK mbron gjyqtaren e Ramës"/ Kalaja: Procedimi penal ndaj Irena Gjokës nuk është regjistruar me emër

"SPAK mbron gjyqtaren e Ramës"/ Kalaja: Procedimi penal ndaj

Avokatja Adriana Kalaja ka ngritur një akuzë të fortë ndaj SPAK-ut dhe drejtuesit të tij, Altin Dumani, lidhur me mosveprimin përballë një kallëzimi penal të bërë ndaj gjyqtares Irena Gjoka.

E ftuar në intervistën e ditës në Syri TV, Kalaja deklaroi se i është drejtuar për herë të dytë SPAK-ut me një kërkesë zyrtare për të marrë informacion nëse procedimi penal është regjistruar në emër të kësaj shtetaseje, si dhe për të shpjeguar arsyet pse ky procedim duhet të ishte regjistruar me emër, për shkak se vepra penale është konkretisht në ngarkim të saj.

'Së dyti, nuk kemi të bëjmë me një grup të strukturuar kriminal dhe nuk kemi as prova për një të tillë. Jemi thjesht në pritje të evidentimit të provave dhe fakteve penale, ose, siç e ka cilësuar vetë Dumani, mund të kemi të bëjmë me një 'krim intelektual', deklaroi Kalaja.

Avokatja theksoi se në këtë çështje ekzistojnë dy dokumente shumë serioze, të cilat qëndrojnë në themel të kallëzimit penal ndaj Irena Gjokës: Vendimi penal i formës së prerë nga autoritetet greke, i pajisur me vulë apostile, që konfirmon dënimin e saj në Greqi dhe që është dokument zyrtar i pakontestueshëm.

Prokura që, sipas Kalasë, jo vetëm vërteton akuzat e ngritura ndaj gjyqtares, por edhe apatinë e institucioneve shtetërore, nga Ministria e Brendshme deri te Prokuroria e Përgjithshme, të cilat nuk kanë ndërmarrë asnjë hap për hetimin apo procedimin disiplinor ndaj saj.

Kalaja theksoi se SPAK, në vend që të regjistronte procedimin me emër, ka zgjedhur një formulim “pa emër”.

'Kallëzimi është i qartë. Nuk ka nevojë për hetime të thella. Dy dokumente janë të mjaftueshme për ta detyruar SPAK-un të regjistrojë procedimin penal në emër të Irena Gjokës. Nëse kanë dyshime për provat tona, le të hapin kallëzim për kallëzim të rremë ose për falsifikim dokumentesh' – tha ajo me tone të forta.

Avokatja akuzoi më tej gjyqtaren Gjoka për kryerje të veprave penale në vijueshmëri, përfshirë, marrjen e masës së dëbimit nga shteti grek (ekspuls), firmosjen së bashku me Stefanaq Gjokën në një deklaratë të rreme, ku thuhej se janë bashkëshortë (ndërkohë që nuk janë), dhe autorizimin e një avokati grek për të hequr ekspulset, çka përbën një tjetër falsifikim.

'Janë fakte të provuara dhe të dokumentuara zyrtarisht. Ndërkohë, Altin Dumani vijon mbrojtjen e Irena Gjokës, e njohur edhe me tre mbiemra, deri kur Edi Rama të japë urdhrin për t’i dhënë fund kësaj mbrojtjeje,'– akuzoi Kalaja.

'Si është e mundur që një gjyqtare e kriminalizuar nga koka te këmbët, me probleme të rënda në pasuri dhe me kontrata fiktive, të vijojë të mbrohet nga institucionet? Përdorimi i saj nga pushteti duhet të jetë një mësim për çdo gjyqtar: para çdo urdhri politik, duhet lexuar ligji dhe Kushtetuta,' – përfundoi ajo.

Të fundit