Flash News

Ditari i Opozitës

Tabaku denoncon rastin e banorit në Babrru: Prona e trashëguar po i kalon pa kompensim fabrikës së armëve

Tabaku denoncon rastin e banorit në Babrru: Prona e trashëguar po i

Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku zhvilloi një vizitë në Babrru në periferi të Tiranës, ku u takua me familjen Dervishi, e cila  pretendon se i është marrë prona pa kompensim dhe më pas i është dhënë kompanisë KAYO për ndërtimin e një fabrike armësh.

Përmes një videoje të publikuar në rrjetet sociale, Tabaku e paraqiti këtë rast si një shembull të një praktike që, sipas saj, favorizon interesat e bizneseve në kurriz të qytetarëve dhe cenon të drejtën e pronës.

Ndodhemi në tokën e familjes Dervishi, një pronë e trashëguar brez pas brezi, e mirëmbajtur me mundësitë e tyre. Sot shteti ndërhyn pa kompensim dhe pa bazë ligjore, duke ia kaluar atë një kompanie për ndërtimin e një fabrike armësh”, u shpreh ajo.

Sipas Tabakut, ky nuk është një rast i izoluar, por pjesë e një fenomeni më të gjerë ku prona private nuk respektohet dhe ligji zbatohet në mënyrë selektive.

“Shohim një shtet që sillet ashpër me qytetarët e zakonshëm dhe toleron të fuqishmit. A mund të justifikohet me standarde europiane marrja e pronës së një qytetari dhe kalimi i saj tek një kompani, pa transparencë dhe pa dëmshpërblim? E drejta e pronës është themelore. Nëse ajo nuk garantohet, nuk mund të pretendojmë asnjë standard tjetër. Kjo nuk është Shqipëria që synon Europën”, deklaroi Tabaku.

Në fund, ajo u shpreh se do ta ndjekë çështjen deri në zgjidhje, duke i qëndruar pranë familjes Dervishi në çdo hap ligjor dhe institucional. 

Të fundit