Flash News

Ditari i Opozitës

Tabaku: Ekonomia po rëndon xhepin e familjeve shqiptare

Tabaku: Ekonomia po rëndon xhepin e familjeve shqiptare

Në raportin më të fundit, Fondi Monetar Ndërkombëtar ka vënë në dukje shqetësime të thella për ekonominë shqiptare, duke reflektuar problemet që çdo qytetar ndjen çdo ditë.

Çmimet e ushqimeve, energjisë dhe qirave po rriten me ritme të papërballueshme, ndërkohë që pagat dhe pensionet mbeten në vendnumëro.

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar ndaj këtij raporti me një postim në rrjetet sociale, duke theksuar se situata ekonomike në vend është pasojë e një sistemi të kapur, që i shërben vetëm një grushti njerëzish të pasur, ndërsa familjet shqiptare përballen me vështirësi të mëdha.

“ Çdo ditë shohim rritje çmimesh dhe shpenzimesh, ndërsa familjet e zakonshme e kanë gjithnjë e më të vështirë të përballojnë jetesën. Sistemi ekonomik është i padrejtë dhe i pabarabartë, duke favorizuar vetëm oligarkët dhe të privilegjuarit, ” tha Tabaku.

Ajo theksoi gjithashtu se mungesa e mundësive për të rinjtë është një tjetër tregues alarmant. “ Rinia jonë nuk sheh shpresë këtu dhe po largohet, sepse Shqipëria nuk po ofron as mundësi të ndershme, as të ardhme për ta. ”

Në reagimin e saj, deputetja Tabaku propozoi disa masa konkrete për të përmirësuar gjendjen ekonomike:

•             Taksa të ulëta dhe të drejta për bizneset e vogla dhe të mesme, të cilat janë shtylla kryesore e ekonomisë familjare shqiptare.

•             Rritje të pensioneve dhe mbështetje për familjet me të ardhura të ulëta, duke ndihmuar në përballimin e krizës së jetesës.

•             Reforma ekonomike gjithëpërfshirëse, që të garantojë një sistem të drejtë, ku përfitimet nuk i marrin vetëm të pasurit.

“ Shqipëria nuk mund të vazhdojë kështu! Ekonomia duhet të shërbejë për qytetarët dhe familjet shqiptare, jo për të pasuruar një grusht njerëzish, ” përfundoi Tabaku.

 

Raporti i FMN dhe reagimi i deputetes vijnë në një kohë kur shumë familje ndihen të lëna në harresë nga politikat aktuale, duke kërkuar zgjidhje të menjëhershme dhe të drejta për të përballuar sfidat ekonomike.

Të fundit