Flash News

Ditari i Opozitës

Tabaku kërkon auditim të Korporatës së Investimeve: Është kthyer në një “ishull” pa llogaridhënie

Tabaku kërkon auditim të Korporatës së Investimeve:

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka kërkuar zyrtarisht nga Kontrolli i Lartë i Shtetit zhvillimin e një auditimi të thelluar mbi aktivitetin e Korporata e Investimeve Shqiptare, institucion që sipas saj është kthyer në një “ishull” pa kontroll, rregulla dhe llogaridhënie.

Në një video të publikuar në rrjetet sociale, Tabaku thekson se Korporata e Investimeve ka marrë në administrim prona dhe asete publike, të cilat po i jep për ndërtim, duke e kthyer shtetin në një nga përfituesit kryesorë të lejeve të ndërtimit.

Sipas saj, ky institucion funksionon jashtë radarit të kontrollit publik, pa procedura të qarta, pa rregulla të brendshme dhe me paga shumë të larta, ndërkohë që menaxhon pasuri të rëndësishme publike.

Deputetja ngriti shqetësimin se një pjesë e madhe e kontratave koncesionare në vend janë nën hetim për korrupsion, çka sipas saj tregon një nivel të ri të kapjes së shtetit, ku korrupsioni ka arritur të ndikojë në ligje, vendimmarrje dhe përdorimin e pronës publike.

Në këtë kontekst, Tabaku thekson rrezikun që vjen nga një institucion i fuqishëm, por i pambikëqyrur, që jep leje ndërtimi dhe administron troje publike.

“Dhënia e lejeve të ndërtimit në një industri ku pastrimi i parave është pjesë e problemit kërkon domosdoshmërisht kontroll të fortë dhe transparencë maksimale,” u shpreh ajo, duke kërkuar që KLSH të nisë sa më parë auditimin dhe të bëjë publike procedurat, kriteret dhe përfituesit e dhënies së pronave publike.

Sipas Tabakut, transparenca dhe auditimi nuk janë pengesë për zhvillimin, por garanci që zhvillimi të jetë në shërbim të interesit publik dhe jo të një pakice të privilegjuar.

Ajo theksoi se vetëm përmes kontrollit institucional dhe llogaridhënies mund të mbrohen asetet publike dhe besimi i qytetarëve te shteti.

Të fundit