Flash News

Ditari i Opozitës

Tabaku paraqet nismë ligjore për njohjen e punës së papaguar të nënave të fëmijëve me aftësi të kufizuara

Tabaku paraqet nismë ligjore për njohjen e punës së papaguar

Deputetja demokrate Jorida Tabaku ka depozituar në Kuvend një nismë ligjore që synon njohjen formale të angazhimit të nënave që kujdesen me kohë të plotë për fëmijët me çrregullime të spektrit autik, sindromën Down ose aftësi të tjera të kufizuara që u pamundësojnë pavarësinë.

Sipas Tabakut, kjo nismë ka si qëllim vlerësimin e këtij angazhimi si punë reale dhe mundësimin e mbështetjes së drejtpërdrejtë financiare nga buxheti i shtetit. Deputetja theksoi se kostoja për shtetin është minimale dhe përbën një investim të drejtë dhe të qëndrueshëm për familjet në nevojë, krahasuar me shpenzimet e projekteve të tjera publike.

“Ky nuk është koncesion apo partneritet publik-privat. Është një mbështetje modeste, por jetike për mijëra familje që jetojnë në kushte të vështira ekonomike,” deklaroi Tabaku.

Ajo ftoi organizatat e shoqërisë civile, profesionistët dhe familjet të japin sugjerime për të përmirësuar nismën dhe për të bërë të dëgjuar nevojat e atyre që kanë më shumë nevojë.

“Është momenti të vendosim një standard njerëzor për këto familje dhe për këto nëna të jashtëzakonshme, që japin më shumë sesa marrin,” përfundoi deputetja.

Të fundit