Flash News

Ditari i Opozitës

Tabaku: Zhvlerësimi i euros, goditje e rëndë për ekonominë dhe xhepin e qytetarëve

Tabaku: Zhvlerësimi i euros, goditje e rëndë për

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka ngritur alarmin për pasojat serioze që, sipas saj, po sjell zhvlerësimi i euros në ekonominë shqiptare.

Ajo thekson se ky fenomen shihet si një nga goditjet më të rënda për mirëqenien e qytetarëve dhe stabilitetin ekonomik të vendit.

Në një video të publikuar në rrjetet sociale, Tabaku thekson se euro ka zbritur në minimume historike të kursit të këmbimit, ndërsa në vitet e fundit ka humbur rreth 40% të vlerës së saj. Ajo nënvizon se, edhe pse për shumë qytetarë kursi i këmbimit mund të duket një çështje teknike apo abstrakte, pasojat e tij janë tashmë të prekshme në jetën e përditshme.

Sipas deputetes demokrate, zhvlerësimi i euros po ndikon drejtpërdrejt në çmime, eksporte, punësim dhe në mbijetesën e bizneseve shqiptare. “Çdo retorikë e qeverisë për nxitjen e eksporteve është e pavlefshme, për sa kohë ekonomia po goditet nga ky fenomen,” shprehet Tabaku, duke theksuar se rënia e euros po minon konkurrueshmërinë e produkteve shqiptare në tregjet ndërkombëtare.

Ajo veçon si më të prekurit dy sektorë kyç të ekonomisë: industrinë fason dhe bujqësinë. Sipas Tabakut, këta sektorë, që deri dje mbështeteshin fort te eksportet, sot po humbasin tregjet e huaja për shkak të pamundësisë për të konkurruar me çmime.  

Deputetja e PD-së e lidh drejtpërdrejt zhvlerësimin e euros edhe me kriminalizimin e ekonomisë dhe futjen e parave të pista në treg. Sipas saj, këto para po deformojnë mekanizmat normalë të tregut dhe po prodhojnë pasoja të rënda e afatgjata për ekonominë reale.

“Ky ndikim po shkon drejtpërdrejt në xhepin e qytetarëve dhe po sjell pasoja katastrofike. Nuk ka asnjë mekanizëm që ta rekuperojë dëmin që po i bëhet sot ekonomisë nga pastrimi i parave,” thekson Tabaku.

 

Të fundit